Hapet Qendra ndihmuese për banorët e Shuto Orizares

Hapet Qendra ndihmuese për banorët e Shuto Orizares

Gazetar: Avni Tahiri

UNDP-në dhe komuna “Shuto Orizari” nënshkruan marrëveshje për formimin e një qendre të resurseve për të kthyerit nga vendet e Evropës Perëndimore dhe kategori të tjera të personave të margjinalizuar. Përmes kësaj qendre qytetarët e kësaj komune do të kenë qasje më të lehtë në shëndetësi, shërbime sociale, punësim, arsim si dhe qasje në ndihmë juridike.

“Në kuadër të objektit të ri të ndërtuar, për herë të parë në Republikën e Maqedonisë së Veriut do të hapet qendra resurse komunale, ku organizatave joqeveritare që veprojnë në territorin e komunës do t’u mundësohet shfrytëzimi i hapësirës së përbashkët për aktivitetet e tyre, por edhe për qasje më të mirë të qytetarëve në shërbime ku do të ketë një hapësirë të veçantë dhe Agjencia e Punësimit, Njësia Rajonale e Fondit për sigurim shëndetësor, Administrata për mbajtjen e regjistrave, por në të njëjtën kohë do ta bëjnë përmirësimin e kushteve për vetë punonjësit në komunë”, tha Kurto Dudush, Kryetar i Komunës Shuto Orizari.

Sipas kryeministrit Dimitar Kovacevski me hapjen e kësaj qendre banorët do të kenë qasje më të lehtë në të gjitha shërbimet e shtetit.

“Qendra e resurseve synohet të jetë një urë lidhëse ndërmjet banorëve të kësaj komune dhe institucioneve shtetërore, para së gjithash për të kthyerit si dhe për të gjithë banorët e Komunës së Shuto Orizarit që do të mund të arrijnë shërbimin e kërkuar në institucioni përkatës më lehtë dhe më shpejt”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, Kryeministër i Rmv-Së.

Kjo Qendër duhet të sigurojë ri integrimin social dhe ekonomik të banorëve të Shuto Orizarit dhe do të krijojë më shumë mundësi për të kthyerit që të bëhen më aktivë në tregun e punës dhe është paraparë që të përfundojë deri në fund të këtij viti. I gjithë projekti do të kushtojë rreth 180 mijë euro, prej të cilave rreth 81 mijë euro do të sigurohen përmes BE-së, ndërsa pjesa tjetër do të sigurohet nga vetë komuna e Shuto Orizarit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button