Gazetar: Adrian Kerimi
Eelena Brajkovska, pjesëtare e ekipit që siguron kryeministrin, Dimitar Kovaçevski është caktuar për konsull i përgjithshëm i Maqedonisë në Melburn të Australisë. Emri i saj ka kaluar në mbledhje të Qeverisë e cila ka qenë e karakterit të mbyllur. Për shkak se bëhet fjalë për informacion të klasifikuar, Qeveria nuk konfirmoi nëse Elena Brajkovska, e punësuar në ekipin e sigurisë së kryeministrit, me autorizim si sekretare është caktuar për konsull. Organi ekzekutiv tha shkurt se në seancë të hapur nuk ka pasur një vendim të tillë.
“Për këtë lloj të çështjeve kadrovike nuk është diskutuar në mbledhje të hapur të Qeverisë”, thonë nga Qeveria.
Nga Ministria e Jashtme nuk morëm përgjigje konkrete mbi specifikat dhe aftësitë diplomatike të Brajkovskas e cila do të përfaqëson shtetin në Australi. Dikasteri i Jashtëm na citoi Ligjin për punë të jashtme dhe dispozitat në të cilat përcaktohen kushtet për emërimin e ambasadorëve dhe konsullve të përgjithshëm.
“Të mos jetë i dënuar për vepra penale me të cilat parashikohet dënim me burg më së paku 6 muaj, për vepra penale që ndërlidhen me detyrën zyrtare, apo për vepra të tjera penale që bëjnë të padenjët për konsull të përgjithshëm”, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Sindikata e Diplomatëve të Maqedonisë sot ka reaguar edhe për emërimin e konsullit të përgjithshëm në Nju Jork, pozitë për të cilën është zgjedhur Muhabi Sinani që sipas sindikatës vjen nga kompania private dhe do ta përfaqëson vendin në aleatin dhe partnerin strategjik. Sindikata akuzon ministrin e Jashtëm se bashkëpunëtorët politik-partiak po i shpërblen me pozita nëpër përfaqësi diplomatike.
“Kemi informacione se edhe Ilmi Selami nga Çairi po bëhet gati për të udhëtuar ambasador në Budapest si shpërblim për rritjen e rejtingut të Osmanit në lagjet e Çairit”, thonë nga Sindikata e Diplomatëve të Maqedonisë.
Praktika e caktimit të konsujve të përgjithshëm dhe atyre të nderit ishte alarmante edhe vite më parë, kur persona pa përvojë diplomatike ishin emëruar në pozita të larta diplomatike nëpër shtetet që janë vende anëtarë të BE-së dhe jo vetëm. / Alsat.mk








