Hoti: Zhvillimet me Specialen e vunë shtetin e Kosovës edhe njëherë në sprovë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha që me zhvillimet e fundit me Gjykatës Speciale, Kosova është vënë edhe njëherë në sprovë.

Hoti në mbledhjen e sotme të Qeverisë, uroi që puna e institucioneve të drejtësisë të udhëhiqet vetëm nga profesionalizimi.

“Si shumë herë më parë, gjatë historisë sonë jemi përballur me sprova, kapërcimi i të cilave dëshmon pjekurinë tonë shtetërore. Zhvillimet e fundit si rezultat i konfirmimit të aktakuzave, ndaj një pjese të ish udhëheqësve të UÇK-së, në mesin e të cilëve edhe presidenti Hashim Thaçi, ish kryetarët e Kuvendit, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, si dhe Rexhep Selimi; të gjitha këto zhvillime e kanë vënë edhe njëherë shtetin në sprovë”, tha Hoti.

Kryeministri kosovarë ka përshëndetur sjelljen e tyre të përgjegjshme dhe sipas tij, gatishmërinë që ata patën për të bashkëpunuar me Dhomat e Specializuara të Kosovës.

“Përshëndes qëndrimin dhe kulturën e tyre institucionale, e cila dëshmon edhe njëherë se Republika e Kosovës i beson drejtësisë dhe bashkëpunon me të pa asnjë hezitim. Duke uruar që puna e isntitucioneve të drejtësisë të udhëhiqet vetëm nga profesionalizimi, ne besojmë që mbarimi i këtij procesi do të ridëshmojë se lufta e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi ka qenë e drejtë dhe e pastër”, është shprehur Hoti.

Ndryshe një ditë më parë, Dhomat e Specializuara konfirmuan aktakuzën edhe për ish-presidentin Hashim Thaçi, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, Shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Rexhep Selimi dhe kryetarit të Këshillit Kombëtar të Nisma Socialdemokrate, Jakup Krasniqi.

LEXO EDHE:

Back to top button