Ikja nga burgu i idrizovës si nëpër filma

Gazetar: Ardit Ramadani

Për gjashtë vite i burgosuri tashmë i arratisur Bekim Memeti po vuante dënimin për vrasje dhe trafikim me drogë në Burgun e Idrizovës. Për të shpëtuar pa mbajtur edhe 15 vitet e ngelura, ai mbrëmë te shërbimet e burgut ishte ankuar për dhimbje në krahun djathtë dhe kishte kërkuar të dërgohet në spital. Arratisja e tij spektakolare si në filma filloi që nga momenti kur shërbimet e Burgut të Idrizovës ia mundësuan një gjë të tillë, por, pa kërkuar që i njëjti të shoqërohet nga njësite speciale deri në spital, këtë për ALSAT e konfirmojnë nga Ministria për Punë të Brendshme.  Sipas të dhënave, në ora 23:20 rrugës për në Spital, i arratisuri kishte rrëmbyer pistoletën e njërit prej shoqëruesve i cili në ato momente ka qenë duke vozitur dhe e kishte plagosur, ndërsa menjëherë pas kësaj, ai ishte arratisur me një veturë të markës “Audi” e cila po e priste pikërisht në vendin ku ai kishte plagosur shoferin rrugës për spital.  Ngelet e paqartë se pse Burgu i Idrizovës nuk ka kërkuar ndihmë nga njësiti special për shoqërimin e të burgosurit në spital, për profile të tilla të cilët janë të dënuar me mbi 10 vjet burg, kjo gjithmonë është bërë. Përveç hetimit të brendshëm nga drejtoria e burgjeve, hetim pritet të ngrejë për përgjegjësi edhe Ministria e Brendshme.

“Njësiti për Zbatimin e Sanksioneve do të realizojë inspektim të jashtëzakonshëm në Burgun e Idrizovës dhe për të gjitha parregullsitë do të ndërmerren masa konkrete me qëllim që të zbulohet se pse nuk është siguruar asistencë policore gjatë dërgimit në spital. Gjithashtu, do të vërtetohet në qoftë se ekziston përgjegjësi për organizimin e dërgimit e të burgosurit, si dhe të gjitha lëshimet që kanë lejuar të ndodhë kjo”, deklaroi Ministria e Drejtësisë.

Përveç dënimit me burg, tashmë me aktgjykim të plotfuqishëm, mbi të arratisurin Memeti tashmë ngarkohen edhe vepra të tjera penale.

“I dënuari është duke u kërkuar nën dyshimin se ka kryer veprën penale tentim vrasje ndaj personit zyrtari. I plagosuri i policisë së burgjeve është ndalur për mjekim, ndërsa tre të tjerët të cilët kanë qenë shoqërues të personit të dënuar dhe komandanti i turnit të tyre janë të ndaluar në komisariat. Gjithashtu, disa persona të tjerë janë thirrur për të deklaruar në komisariat për zbardhjen e plotë të ngjarjes”, deklaruan nga Prokuroria Publike

Drejtori i Burgut të Idrizovës, Shpend Tahiri, nuk përgjigjet në pyetjet e Alsat edhe pse shumë gjëra në lidhje me këtë rast janë të paqarta. Nëse ka qenë i ulur në ulësen para i burgosuri gjatë kohës që është dërguar në Spital, meqë ka arritur të ja merr pistoletën shoferit, pse nuk i ka pasur duart e lidhura si dhe pse burgu me të cilin udhëheq Tahiri, nuk ka kërkuar asistencë të njësitit special për dërgimin e të burgosurit në spital.  Mësojmë se ky i burgosur tash në arrati këtë vepër nuk e ka për herë të parë. Përkatësisht, ai në vitin 2007 kishte ikur nga burgu i Tetovës vetëm një javë pasi ishte burgosur. /alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button