Zjarret përkeqësohen në Mal të Zi, evakuohen banorët
Gjendja me zjarret është përkeqësuar edhe në Mal të Zi. Qindra zjarrfikës u përpoqën t’i vinin nën kontroll flakët gjatë natës të cilat u përhapen me shpejtësi në afërsi të zonave të banuara. Autoritetet urdhëruan evakuimin e banorëve në zonat më të rrezikuara. Bregdeti malazez prej kohësh është i ekspozuar ndaj zjarreve pyjore, Erërat e forta i japin krahë flakëve, të cilat shpesh arrijnë deri te zonat e banuara. Për të vënë nën kontroll situatën, Mali i Zi ka kërkuar ndihmën e brigadave zjarrfikëse nga vendet fqinje.
Situata me zjarret është rënduar në shumë vende të Evropës. Vala e të nxehtit ekstrem ka thyer rekorde temperaturash në disa shtete, ka shkaktuar thatësira që rëndojnë sistemet energjetike dhe ka ndezur zjarre nga Perëndimi deri në Ballkan. Temperaturat mbi 40 gradë Celsius kanë detyruar autoritetet të lëshojnë paralajmërime shëndetësore për miliona qytetarë. Shkencëtarët janë të qartë: ngjarje të tilla po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më shkatërruese ndërsa planeti ngrohet. Sipas shërbimit klimatik Copernicus të Bashkimit Evropian, Evropa është kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë – me më shumë se dyfishin e mesatares globale që nga vitet ’80.








