Marrëveshja e Ohrit, Mickoski: Na presin sfida të reja
Kryeministri Hristijan Mickoski, në përvjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, nga Brukseli, u drejtua përmes rrjeteve sociale. Ai shkruan se dokumenti është pjesë e historisë së re dhe realitetit politik e institucional të vendit. “Më shumë se dy dekada më vonë, sfida të reja na presin.
Brezat e sotëm presin institucione funksionale, barazi para ligjit, arsim cilësor, kujdes shëndetësor më të mirë, një standard më të lartë jetese, zhvillim ekonomik dhe mundësi për të ndërtuar të ardhmen e tyre në atdhe. Këto janë çështjet rreth të cilave duhet të bashkohemi, pavarësisht nga etnia, feja apo përkatësia politike. Është koha që politika të shqetësohet më pak për atë që na ndan dhe më shumë për atë që duhet të ndërtojmë së bashku”, shkruan kryeministri. Ai bëri thirrje për një shoqëri ku dallimet nuk do të jenë shkak për ndarje, ndërsa vlera e qytetarit do të matet me dijen, punën, ndershmërinë dhe kontributin.








