Platforma “12:05”, përplasje dhe akuza mes partive politike

" "

Gazetare: Fatlume Dervishi

Zhvillimet në LSDM vazhdojnë të përplasin partitë politike. VMRO-DPMNE thotë se nuk është fajtore që LSDM-ja po shpërbëhet nën drejtimin e Venko Filipçes pavarësisht se ai i quajti satelitë të Mickoskit anëtarët dhe ish anëtarët e partisë që organizojnë nismën “Bisedë për të ardhmen në 12 e 5 minuta”.

“Për një kohë, ish-zyrtarët e LSD-së kanë qenë kundër Filipçes si kryetar, dhe po formohen fronte të tëra opozitare për ta detyruar atë të japë dorëheqje, sepse është e qartë se, përveç kukullave besnike të Zaevit, ndër të cilat është edhe vetë ai, të gjithë e dinë se Filipçe nuk po e udhëheq LSD-në të jetë opozitë në vend, por vetëm dëshiron të vijë disi në pushtet. Kohë më parë, ai ua ofroi veten vendeve të huaja dhe i përputhi pikëpamjet e tij me axhendat e të tjerëve, sepse shpresonte se ata do ta ndihmonin të vinte në pushtet. Askush nuk i ka faj Filipçes që LSDM-ja po shkatërrohet. Përkundrazi, VMRO-DPMNE-së i përshtatet një LSDM e drejtuar prej tij”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Në takimin e fundit të para dy ditëve me temë “Çfarë pas 35 vitesh?” me anëtarë dhe ish anëtarë të LSDM-së u ulën edhe figura të tjera, mes të cilave edhe Amar Mecinoviq nga E Majta. Filipçe në kritikat e tij e vendosi theksin edhe te ideologjia pro ruse dhe kundër NATO-s e Të Majtës.

E Majta thotë se ka marrë pjesë në diskutim për të ardhmen e vendit por kjo nuk nënkupton se është as me LSDM-në dhe as me VMRO-në.

“Mickoski po përpiqet të na vendosë në orbitën politike të LSDM-së, ndërsa Filipçe, në një konferencë për shtyp me koreografi të çuditshme dhe entuziazëm të keqinterpretuar, na shpalli satelitë të Mickoskit. Në atë kontradiktë të vazhdueshme qëndron përgjigjja më e mirë për të dy: ata janë mësuar aq shumë që çdo forcë politike të jetë e dikujt tjetër, saqë nuk mund ta pranojnë që E Majta është vetëm e vetes dhe autentike si produkt i kohës”, thonë nga E Majta.

Platforma “Biseda për të ardhmen në 12:05”, përfshin ish-funksionarët e LSDM-së: Igor Ivanovski, Nikola Qurçiev, Andrej Petrov, Emilijan Stankoviq dhe Gordan Georgiev, si dhe deputeten aktuale dhe ish-ministren e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska. Platforma ka kërkuar ndryshime strukturore në LSDM, duke theksuar njëkohësisht se nuk ka për qëllim të shndërrohet në një parti të re politike./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button