Kërçova pa qendër për pacientët me Covid-19, të sëmurët trajtohen nëpër tenda

Kërçova është qyteti i vetëm nga vendbanimet më të mëdha në Maqedoni ku nuk ka Qendër për trajtimin e pacientëve të infektuar me Covid 19, paralajmërojnë mjekët. Për më tepër, nuk ka shërbim epidemiologjik në spital, kështu që herë pas here vijnë epidemiologë nga Manastiri, kurse nuk ka as departament infektiv, por vetëm një ambulancë me një infektolog. Drejtori i qendrës shëndetësore, Xhabir Bajrami, thotë se kjo është periudhë kritike për Kërçovën. Ai shpreson që me ndihmën e Ministrisë së shëndetësisë, të vendoset barakë me disa dhoma dhe tualete për trajtimin e pacientëve.

“Në mungesë të hapësirës së përshtatshme këtu në spitalin e Kërçovës, kjo tendë pas meje, muajt e fundit, është përdorur për pranimin e pacientëve, raste të dyshimta me Covid 19″

Në një situatë kur ka rritje të numrit të pacientëve, këto ditë pothuajse nuk ka vend për pranimin e pacientëve nga rajoni i Kërçovës në spitalet rajonale në Manastir dhe Gostivar, ku trajtohen pacientë me pasqyrë më të rëndë klinike.

Spitali i Kërçovës paralajmëron riorganizimin e hapësirave dhe krijimin e kushteve për trajtimin e pacientëve në ambientet e tyre.

Tani me kolegjiumin profesional do të gjejmë hapësirë të përshtatshme ku do të pranohen pacientët e dyshimtë. Të gjithë pacientët me Kovid që shërohen në shtëpi, kontrollohen përmes institucionit tonë. Nëpërmjet laboratorit, transfuzionit, rëntgenit, më shumë se 20 pacientë, qoftë të dyshimtë apo pozitivë, trajtohen nga institucioni ynë. Kjo nuk do të thotë që ne si institucion nuk punojmë me rastet pozitiv me Kovid, vetëm se nuk kemi të hospitalizuar që janë pozitiv me Kovid”-pohoi Stanko Tërpeski – Drejtor i spitalit të përgjithshëm të Kërçovës.

Si opsion për një gjë të tillë konsiderohet departamenti intern, ku ka hapësirë të mjaftueshme kurse parashihet rotacioni i ekipit mjekësor për të qenë në gjendje të trajtohen të gjithë ata që do të kenë nevojë për kujdes mjekësor. Problemi është se në spitalin e Kërçovës, katër mjekë janë pozitivë me Covid 19, duke përfshirë një gjinekolog, një infektolog dhe dy internistë.

 

Miki Trajkovski

LEXO EDHE:

Back to top button