Kosovë/Ata që fitojnë nga TikToku e rrjetet e tjera sociale do t’i paguajnë tatim shtetit

Kosovë/Ata që fitojnë nga TikToku e rrjetet e tjera sociale do t’i paguajnë tatim shtetit

Deri tash, kushdo që me anë të kësaj forme ka përfituar diçka, nuk i ka paguar tatim shtetit. Mirëpo, kjo do të ndryshojë brenda një periudhe jo fort të gjatë kohore.

Në një përgjigje dhënë Telegrafit, zëdhënësja e Administratës Tatimore të Kosovës, Valentina Bytyqi – Sefa, tregon se tanimë shteti është pajisur me veglën analitike MKCVI, me anë të së cilës do të arrihet edhe grumbullimi e analizimi i tatimeve që përfituesit e TikTok, Facebook, YouTube e rrjete sociale do të duhet t’ia paguajnë shtetit.

Ajo sqaron se ky proces mund të bëhet vetëm për raste individuale, e në këtë mes ndihmë do të jap edhe Njësia e Inteligjencës Financiare.

“Vegla analitike për analizimin e rrjeteve sociale MKCVI, për të cilën kemi rinovuar licencën na ofron mundësinë e analizimit të rrjeteve sociale, andaj grumbullimi dhe analizimi i informatave dhe përfituesve nga ky rrjet social mund të bëhet vetëm për raste individuale dhe atë në bashkëpunim edhe me Njësinë e Inteligjencës Financiare, tek e cila subjektet raportuese janë të obliguara që të raportojnë të hyrat nga jashtë”, thotë Bytyqi – Sefa.

Tutje, ajo tregon edhe për synimet që ka ATK për këtë vit sa i përket kësaj çështjeje, ku përfshihen koordinimet bashkë me Inteligjencën Financiare, në atë formë që të identifikohen përfituesit nga rrjetet sociale.

“Gjatë këtij viti planifikojmë që në bashkëpunim me NJIF (Njësinë e Intelegjencës Financiare), të koordinojmë mënyrën dhe mundësinë e identifikimit dhe pastaj edhe të trajtimit të përfituesve financiar nga rrjetet sociale Përmes kësaj vegle ose nga të dhënat që do t’i sigurojmë, më pas do të kalkulohet edhe pjesa e tatimit”, theksoi Bytyqi – Sefa për Telegrafin.

Zëdhënësja e ATK-së shton se kjo vegëz është model i atyre që përdoren në vendet e zhvilluara të botës.

Aktualisht, në Kosovë, një pjesë e madhe e emrave të estradës janë përdorues shumë aktiv të rrjetit social, TikTok. Ata madje duke shfrytëzuar audiencën e krijuar nga veprimtaria e tyre paraprake në muzikë, duket se përfitojnë shuma të majme të parave.

E modalitetet e monetizimit të atyre që në TikTok njihen si “gifts” apo në shqip dhurata, për Telegrafin i kishte shpjeguar eksperti i njohur i rrjeteve sociale, Valon Kerolli.

Ai kishte thënë se artistët në Kosovë, përfitojnë në dy mënyra nga TikToku; Duke bërë marrëveshje personale me biznese për reklamim, si dhe në dhuratat/gifts që marrin nga audienca.

“Në TikTok, dhuratat konvertohen përmes monedhave digjitale (coins) dhe vlera e tyre në para sillet prej 0 e deri në 500 dollarë (35000 coins) që është vlera e dhuratës më të shtrenjtë që njihet me emrin TikTok Universe. Ata që i marrin këto dhurata mund t’i konvertojnë në para, ku 50% të vlerës i merr TikTok e 50% të mbetura i merr artisti”, deklaroi Kerolli për Telegrafin.

Duke qenë monitorues i rregullt i rrjeteve sociale, Kerolli shtonte se këngëtarët shqiptarë nga videot live, në të cilat ata futen çdo natë, përfitojnë mesatarisht një mijë euro në ditë, pa llogaritur përqindjen që merr TikToku.

Në lidhje me inkasimin e tatimeve nga përfituesit e rrjeteve sociale, para disa ditësh kishte folur edhe drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj.

Ky i fundit ka thënë se softuerët që aktualisht Institucioni që drejton ai ka, janë pjesë e mbështetjes nga Britania e Madhe.

“Argument tjetër është pjesa e zhvillimit të përfitimit të mbështetjes nga ana e Mbretërisë së Bashkuar me softuerë të veçanta, softuerë këto që na kanë kriju mundësinë që të shfrytëzojmë burim të informatave nga burimet e ndryshme, për shembull është njëri prej softuerë është pjesa e burimit të informatës e cila shfrytëzohet nga rrjetet sociale siç janë facebook, instagram, tik-tok etj, ku këto informata janë duke u përpunuar nga këto softuera. Zyrtarë tonë të inteligjencës financiare dhe përmes rezultateve të këtyre informatave dërgohen në operativ te inspektorët e operativës dhe bëhen vlerësimet tatimore aty ku konstatohet që ka shmangie tatimore apo qarkullim të pa deklaruar”, tha para disa ditësh Murtezi.

Ndryshe sipas ATK-së, nga janari deri në prill 2022, në raport me periudhën e njëjtë për vitin e kaluar, ka një rritje të të hyrave për rreth 68.5 milionë euro apo shprehur në përqindje mbi 34%.

Ndërsa në raport me planin vjetor, gjithashtu ka tejkalim të planit mbi 17% apo 40 milionë euro, ndërkaq totali i mbledhjes të hyrave të ATK-së gjatë kësaj periudhe katër mujore është 269.5 milionë euro.

LEXO EDHE:

Back to top button