Kosovë, nisin konsultimet për datën e zgjedhjeve

Pas takimit me ushtruesen e detyrës presidente e Kosovës Vjosa Osmanin, lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti tha se data e zgjedhjeve të reja duhet të caktohet pasi kjo parti, të pranojë aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Qeverinë e Kosovës. Kurti tha se përmes zgjedhjeve të reja do të “restaurohet legjitimiteti i institucioneve”.

Ne jemi të interesuar që të mbahen zgjedhjet e reja dhe të parakohshme në Republikën e Kosovës, meqenëse kemi humbur shumë kohë dhe na nevojitet të ecim sa më shpejt, që duke u kthyer te populli si burim i sovranitetit, të restaurojmë legjitimitetin e institucioneve dhe të kemi një qeveri të re e kompetente, e cila e nxjerr Kosovën nga kriza e shumëfishtë”-tha Albin Kurti, Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Arban Abrashi i LDK-së ka thënë se në takimin e sotëm data që është përmendur për zgjedhje ka qenë 7 shkurti.

Shpeshherë kohët e fundit e kemi përmendur që zgjedhjet mund të mbahen në janar dhe kemi treguar që jemi të gatshëm për zgjedhje. Por, duhet të gjejmë fuqi politike që ta miratojmë buxhetin për vitin 2021, sepse kjo ka ndikim tek secili qytetar”-pohoi Arban Abrashi, LDK.

U.d. kryetari i PDK-së Enver Hoxhaj tha se partia e tij e mirëpret vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila i hap rrugë zgjedhjeve parlamentare dhe të parakohshme.

Një vendim i tillë ka qenë i pritur për shkak të krizës politike në të cilën ka qenë vendi. Tetori i vitit të kaluar ka qenë një mashtrim i madh. Qytetarët e Kosovës mjerisht dhe pa fajin e tyre për 14 muaj përjetuan zhgënjim, mashtrim, shpresë e vjedhur dhe premtime të papërmbajtura”-theksoi Enver Hoxhaj, U.D. Kryetar i PDK-së.

Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila është pjesë e qeverisë, tashmë në detyrë, tha se është e gatshme për zgjedhje.

Është një situatë jo e lehtë për shkak të pandemisë, prandaj duhet të kemi kujdes edhe partitë politike duke e vlerësuar edhe mendimin e Institutit të Shëndetësisë, prandaj në këto zgjedhje të jashtëzakonshme shkojmë të përgatitur për të qeverisur dhe për të udhëhequr vendin”-deklaroi Ahmet Isufi, Nënkryetar i AAK-së.

Gjykata Kushtetuese vendosi se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti, është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese. Kjo për shkak të votës së deputetit Etem Arifit, i cili, më 3 qershor votoi për Qeverinë Hoti, ndonëse kishte një dënim të formës së prerë për veprën penale “mashtrim me subvencione”, prej një vit e tre muaj burgim. Qeveria Hoti do të mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e ekzekutivit të ri.

 

Shkëlzen Aqifi

LEXO EDHE:

Back to top button