Kredit e shpejta, MPB-ja regjistron dhjetëra mashtrime

Kredit e shpejta, MPB-ja regjistron dhjetëra mashtrime

Gazetar: Adnan Qaili

Mikro-kreditë janë bërë makth edhe për qytetarët të cilët asnjëherë nuk kam marr kredi të tilla. Në pikat e këtyre shoqërive financiare së fundmi ka abuzime me letërnjoftime të huaja. Ministria e Brendshme konfirmon se dhjetëra qytetarë janë mashtruar duke u përballur me pagesa të kësteve nga kreditë e shpejta, të marra nga persona të tjerë. Denoncimet që janë bërë në polici tregojnë se me vjedhjen e të dhënave personale në emër të tyre kanë marr para të majme, dhe viktimat janë njoftuar vetëm kur ju vjen koha të paguajnë këstet me kamata shumë të larta.

“Gjatë vitit 2022 janë regjistruar 43 raste të mashtrimit me kredi të shpejta. Për këto raste në Prokurorinë Publike janë dorëzuar 16 kallëzime penale dhe 24 njoftime me shkrim, ku në kuadër të rasteve të hetuara janë raportuar 24 kryerës të veprave penale, ndërsa është dorëzuar edhe një njoftim te personi i dëmtuar për të ngritur padi private kundër autorit të zbuluar për mashtrim dhe falsifikim”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Lehtësia me të cilën merren kreditë e shpejta ka ofruar fushëveprim të kollajshëm për mashtruesit. Në mbikëqyrjet që bëmë nëpër pikat e këtyre bizneseve në kryeqytet, na thanë se aplikimi për kredi mund të bëhet edhe përmes platformave on-line. Kjo ka krijuar hapësirë që manipulatorët të japin të dhëna të rrejshme të letërnjoftimeve të personave të tjerë. Sipas autoriteteve mashtrimet ndodhin më së shumti në rrjetet sociale, ku keqpërdoren të dhënat personale të qytetarëve nga kartat e identitetit, llogaritë e transaksioneve bankare apo kartat e identifikimit shëndetësor. Se sa janë të popullarizuara këto kredi të shpejta tregon edhe raporti i Bankës Popullore, ku brenda vitit kaluar janë marr miliarda denarë borxh.

“Rritja e interesit për kredi të shpejta vërehet në përllogaritjen e mjeteve në tremujorin e katërt të 2022, ku shënojnë rritje tremujore 5.3% dhe vjetore 23.3%. Kreditë e miratuara nga kompanitë financiare kapin shumën prej 8 miliard e 23 milionë denarë të dhëna për mikro-kredi. Aktiviteti kreditor i këtij sektori shënoi rritje tremujore me 4.7% dhe vjetore me 23.8%, në kushtet e kreditimit nga shoqëritë financiare”, njoftojnë nga Banka Popullore e RMV-së.

Në sheshe, bulevarde dhe pikat kyçe të çdo qyteti të vendit vërehen fushatat reklamuese të drejtuara nga të ashtuquajturat “shitoret e parave”, të cilët promovojnë ofertat e tyre për të dhënë kredi të shpejta që qytetarët po i mbysin në borxhe duke i futur në spiralen e marrjes së dy huamarrjeve për të mbyllur një kredi. Qytetarët, pa e ditur se çfarë po firmosin, ngarkohen me norma të larta interesi, komisione dhe ka raste kur një kompani për kredi të shpejta ka faturuar edhe dërgimin e një paralajmërimi me shkrim. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button