Kriza energjetike në Kosovë, Kurti fajëson qeveritë e kaluara
Kosova vazhdon të përballet me krizë energjetike. Sipas Kompanisë së Distrbiumit reduktimet janë më të vogla se ditëve të kaluara. Kryeministri Albin Kurti në fjalimin e tij në mbledhjen e 45-të të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, ka kritikuar ish-qeveritë për krizën me energji elektrike. Kurti ka thënë se e kupton frustrimin e qytetarëve për mungesën e energjisë. Ai ka thënë se vitin e ardhshëm do të propozojnë një zgjidhje më afatgjate për çështjen e energjisë.
“Derisa kërkesa për energjinë nga qytetarët dhe ekonomia jonë është rritur çdo vit, prodhimi nga KEK-u ka mbetur i njëjtë e ndërkohë ka pasur edhe vjedhje edhe vendime të gabuara që e kanë sjellë sektorin energjetik buzë kolapsit. Unë e kuptoj sot frustrimin e secilit qytetarë me mungesë të energjisë elektrike, besoni që edhe unë jam i frustruar por le të jetë ky një kujtim për gjendjen në të cilën, ata që qeverisën për dy dekada na e lanë shtetin, sepse si njerëz të territ që ishin, që punën i bënin natën e larg syrit të qytetarëve, ata nuk kishin si ta lenin Kosovën ndryshe pos në terr e skëterre por ajo epokë ka përfunduar, rrugëtimi që kemi filluar së bashku është me plot sfida por do të na dërgoj në ditë më të mira. Gjatë vitit që vjen do të dalim me propozime konkrete për zgjidhjen afatgjate e cila do të merr parasysh kërkesën tonë rritje për energji në 40 vitet e ardhshme dhe burimet tona energjetike për të plotësuar këtë kërkesë”- deklaroi Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.








