Kushtetuesja hapi procedurë për emrat e rrugëve në Tetovë të emërtuara para 19 viteve

Kushtetuesja hapi procedurë për emrat e rrugëve në Tetovë të emërtuara para 19 viteve

Gazetar: Suad Bajrami

Gjykata Kushtetuese ka hapur procedurë dhe me këtë praktikisht paralajmëron shfuqizimin ose anulimin e emrave të rrugëve të Tetovës që janë miratuar në vitin 2007. Iniciativa që sot ka marrë dritën jeshile nga shumica e gjyqtarëve kushtetues ishte dorëzuar nga Lidhja e Luftëtarëve nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste e Maqedonisë 1941-1945.

Sipas iniciuesve, Këshilli i Tetovës i ka ndryshuar emrat pa pëlqimin e Qeverisë, në kundërshtim me Ligjin për caktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, i cili ishte miratuar në vitin 2004 në Kuvend. Parashtruesit kërkojnë që kuptimi i rrugëve të jetë vetëm në maqedonisht.

“Kushtetuta dhe Ligji urdhërojnë që emrat e rrugëve të shkruhen në gjuhën maqedonase dhe shkrimin cirilik. Është e paligjshme që rruga të quhet “Kongresi i Manastirit” ose “Dëshmorët e Kombit” pasi ato janë të shkruara në gjuhën shqipe, por në shkrim cirilik”, thuhet në iniciativë, duke sqaruar se emrat e rrugëve në shqip duhet të përkthehen dhe të kenë kuptim maqedonas, si për shembull “Bitollski Kongres” ose “Padnat borec na nacijata”.

Çështja e emrave të rrugëve në Tetovë, në periudhën e kaluar ka qenë temë e nxehtë dhe ka nxitur debate. Kreu aktual Bilall Kasami ka paralajmëruar ndërrimin e disa emrave pasi janë të shekullit të kaluar dhe nuk e pasqyrojnë realitetin kulturor dhe etnik të qytetit. Megjithatë duket se nuk ka vullnet te pala maqedonase. Kryeministri Hristijan Mickoski ka deklaruar që pa pajtimin e Qeverisë, nuk mund të ndryshohen emrat dhe nëse nuk ka konsensus, ai nuk do ta mbështet. Megjithatë, fakti që lidhja inicuese kërkon përkthim të emrave, bie ndesh edhe me kulturën për toponimet apo përdorimin e emrave origjinalë dhe historikë, dhe mund të hapë debate të ashpra etnike mes etniteteve.

LEXO EDHE:

Back to top button