Gazetar: Zekirija Haxhiu
Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit është partia e radhës e cila shkriu strukturat partiake në drejtim të shndërrimit të VLEN-it në parti. Nga LD kanë autorizuar Mexhitin që të udhëheqë procesin e transformimit. Ndërkohë Aleanca për Shqiptarët brenda VLEN-it edhe më tej mbetet e ndarë në dy pjesë. Nga njëra anë bisedimet për shkrirje në VLEN i udhëheqë Arben Fetai nga ana tjetër deputetët Ilir Demiri dhe Mimoza Musa.
“Ajo është çështje e brendshme e ASH-së mirëpo mendoj që më e rëndësishme është VLEN-i për shkak se ASH-ja, LD-ja, Besa e Alternativa do të jenë edhe një javë apo dy. Pas shkrirjes dhe pas formimit të VLEN-it, më e rëndësishme është VLEN-i. Pak e rëndësishme se kush do të jetë edhe një javë dit përfaqësues i LD-së, ASH-së e të tjerëve”, deklaroi Izet Mexhiti – LD/VLEN.
Ndërkohë brenda VLEN-it ende nuk është vendosur se cila do të jetë mënyra e funksionimit të kryesisë. Në tavolinë ka disa opsione sikurse parti me dy kryetarë, kryetar me rotacion dhe një anëtar një votë. Krerët e LD-së dhe Besës, Mexhiti e Kasami janë deklaruar se opsioni më i mirë do të ishte të shkohet me bashkëkryetar ndërsa Alternativa ngelet në qëndrimin se më e drejta do të ishte ndarja e barabartë, pra kryetar me rotacion. Megjithatë siç tha një ditë më parë për Alsat ish kreu i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, kjo parti është e gatshme të dëgjojë se cilat janë argumentet e forta për opsionin për bashkëkryetar. Ndërkohë në rrjetet sociale mbështetës të Alternativës publikisht janë shprehur se Besa dhe LD-ja nuk kanë asgjë më tepër se Alternativa dhe se Alternativa është partia më e strukturuar për dallim nga të tjerat. Finalizimi i të gjitha bisedimeve pritet të bëhet në afat prej dy javësh. /Alsat.mk








