Kushtetuesja, procedurë për Balancuesin
Kushtetuesja, procedurë për Balancuesin
Gazetare: Fatlume Dervishi
Gjykata Kushtetuese vendosi të nisë procedurë dhe të hapë lëndë për nismën që konteston dispozitat që kanë të bëjnë me përfaqësimin e drejtë etnik në institucione. Procedura do të përfshijë shqyrtimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për të punësuarit në sektorin publik, Ligjit për nëpunës administrativ dhe Rregullores për elemente të detyrueshme në konkurset publike, nismë e iniciuar nga përbërja e kaluar e Antikorrupsuionit. Por, me propozim të kreut të Kushtetueses, në këtë lëndë u përfshi edhe Metodologjia e planifikimit të punësimit në sektorin publik në përputhje me parimin e përfaqësimit adekuat dhe të drejtë, që njihet ndryshe si mekanizmi i Balancuesit.
“Gjykata i vlerësoi gjetjet e Komisionit (Antikorrupsion) si të bazuara por edhe i zgjeroi dyshimet për jokushtetutshmëri dhe joligjshmëri edhe në dispozita të tjera. Dhe me vetëiniciativë nisi procedurë edhe për ligjet e njëjta por edhe për akte nënligjore që dalin prej tyre. Gjykata shprehu dyshime se për dispozitat për të cilat është nisur procedurë vendoset në pyetje parimi i garantuar kushtetues i barazisë së qytetarëve para Kushtetutës, I vërtetuar me nenin 9, më tej edhe garancia kushtetuese se çdo vend pune, me të njëjtat kushte, është i qasshëm për të gjithë,” deklaroi Hristina Belovska, zëdhënëse e Gjykatës Kushtetuese.
Vendimi erdhi pas një debati të gjatë mes gjykatësve të kushtetueses, të cilët kishin qëndrime të ndara. Në diskutime, kundër u deklaruan tre gjykatësit Osman Kadriu, Naser Ajdari dhe Fatmir Skender. Kadriu deklaroi se përkatësia etnike si element për përfaqësim të drejtë është në Kushtetutë si rezultat i Marrëveshjes së Ohrit. Përfaqësimi i drejtë etnik sipas gjykatësit Kadriu paraqet vlerë demokratike më të përkryer kurse, me të, nuk suspendohen kushtet dhe kualifikimet tjera gjatë punësimit. Ai tha se parimi i përfaqësimit të drejtë zbatohet, jo vetëm në administratë por edhe në zgjedhjen e funksionarëve dhe të gjykatësve. Shfuqizimi, shtoi Kadriu do të suspendonte të drejtat e të gjithë etnive dhe do të dëmtonte të drejtat e qytetarëve. Gjykatësja Dobrilla Kacarska ishte për idenë që t’i jepet afat Kuvendit për rishikimin e dispozitave dhe rregullimin e tyre në formën që nuk do të paraqisnin diskriminim.
Por kreu i Kushtetueses Darko Kostadinovski ishte kundër këtyre ideve. Ai, si gjykatës që referonte nismën, vlerëson se nuk është punë e Gjykatës Kushtetuese t’i sugjerojë Kuvendit të rregullojë ligjet ose t’i tregojë si të bëjë punën e tij. Ai thotë se me dispozitat që rregullojnë punësimin në bazë të përkatësisë etnike shkelet themelet e rendit kushtetues që garantojnë liri të shprehjes dhe shkelet parimi kushtetues që secili duhet të jetë i barabartë, pavarësisht përkatësisë etnike.
Deri në vendimin final, stopohen të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me nenet dhe rregulloret që kontestohen, ku përfshihet edhe punësimi nëpërmjet balancuesit.
“Gjatë votimit është sjell edhe masë e përkohshme për këtë lëndë që nënkupton se stopohet zbatimi i akteve dhe veprimeve që dalin nga dispozitat që kontestohen dhe nuk duhet të ketë ndryshime në këtë rast deri sa gjykata nuk sjell vendim final,” tha Hristina Belovska, zëdhënëse e Gjykatës Kushtetuese. /alsat.mk