Kuvendi i Shqipërisë votoi kundër heqjes së imunitetit të deputetes së Partisë Socialiste Belinda Balluku

Kuvendi i Shqipërisë ka votuar kundër heqjes së imunitetit të ish-zëvendëskryeministres, Belinda Balluku, pasi prokurorët kishin kërkuar autorizim për arrestimin e deputetes, e cila dyshohet për korrupsion. Deputetët e PS-së së kryeministrit Edi Rama me 82 votat e tyre pamundësuan heqjen e imunitetit, duke nxitur protestë nga deputetët opozitarë brenda sallës së Kuvendit.

Derisa diskutimi dhe votimi po ndodhte brenda Kuvendit, një numër protestuesish u mblodhën pranë ndërtesës duke iu përgjigjur thirrjes së liderit të Partisë Demokratike në opozitë, Sali Berisha. Duk folur para tyre, Berisha njoftoi se një protestë tjetër do të mbahet më 22 mars, ndërsa kërkoi dorëheqjen e Edi Ramës.

“Zgjidhja e krizës është largimi i njeriut më të poshtëruar sot në skenën politike evropiane dhe perëndimore që quhet Edi Rama. Ai është njeriu i poshtëruar për aktet që ka kryer. Ai për të shpëtuar lëkurën e tij është i gatshëm të pranojë çdo poshtërim”, deklaroi Sali Berisha, kryetar i PD-së.

Pas votimit, Ambasada gjermane në Tiranë tha se Gjermania e mbështet procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, por shtoi se kusht i domosdoshëm për përparim në këtë proces është ndjekja penale me efektivitet e korrupsionit edhe në raste të rangut të lartë. Kryeministri Rama u kundërpërgjigj duke theksuar se vendimi i Kuvendit ishte i drejtë dhe shumica bëri sot atë që do ta bënte çdo parlament demokratik i Evropës. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i kishte kërkuar Kuvendit qysh më 16 dhjetor të vitit të kaluar t’ia hiqte imunitetin Ballukut. SPAK ka ngritur aktakuzë kundër Ballukut për “shkelje të barazisë me tenderë” në rastin që ka të bëjë me procedurën e prokurimit për ndërtimin e tunelit të Llogorasë./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button