LEN protestoi përpara Q.T. Soravia, akuzoi BDI-në për korrupsion të lartë

LEN protestoi përpara Q.T. Soravia, akuzoi BDI-në për korrupsion të lartë

Gazetar: Adnan Qaili

Në mesditën e shtunës, aktivistët e Lidhjes Evropiane për Ndryshim protestuan para Qendrës Tregtare “Soravia” në Shkup. Për një orë të tëra ata bllokuan rrugën duke lënë në mënyrë simbolike gjësendet e fëmijëve, që sipas tyre kanë braktisur vendin me gjithë familjet e tyre për shkak të shkallës së lartë të korrupsionit, që aktivistët e LEN, thonë se shkaktarë kryesorë janë pikërisht pronarët e “Soravias”, të lidershipit të BDI-së.

“Këto ne sot po ia lëmë këtu pronarit të Soravia-s, që t’i ketë si kujtim nga të gjitha ato familje që ai dhe bashkëpunëtorët e tij i kanë përzënë nga vatrat e tyre. Le ta dijë gjithë opinioni se mbi 300 mijë njerëz janë shpërngulur nga Maqedonia e Veriut vetëm nga viti 2002. Kaq na ka kushtuar pasurimi i familjes Ahmeti e Grubi. Që të ndalet ky trend negativ dhe ky eksod, jemi këtu ta tërheqim vërejtjen se 8 maji i vitit 2024 është çasti i fundit kur ne do ta vizatojmë udhën tonë europiane jo duke ikur në Europë, por duke e sjellë Europën në vendin tonë. Ne në BE – të korruptuarit në burg!”, tha Behar Emini, Lidhja Europiane për Ndryshim.

Megjithëse protesta ishte paqësore, kjo qendër tregtare ishte e blinduar nga policia. Nga MPB kumtojnë se vetë organizatorët kanë paraqitur tubimin në formë proteste dhe policia ka dal në vendngjarje për të ruajtur qetësinë dhe për të mbajtur rendin publik. Aty shpalosën edhe një pankartë ku thuhej: “Për ju Soravia, Llotaria, Arbëria, Eurovia, për ne vetëm Gjermania!” Nga LEN pretendojnë që pronari i vërtetë i “ Soravias” nuk është nipi i tij, por vetë kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.

“E si mos të jetë kjo rënie dhe si mos të jetë kjo shkallë e korrupsionit, kur vetë kreu i partisë shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim përfolët si pronari real i kësaj qendre tregtare që kap vlerën e disa miliona eurove? Natyrisht, ai nuk është as i vetmi, as i pari e as i fundit. Ali Ahmeti Soravia është vetëm emri simbolik i korrupsionit në Maqedoninë e Veriut dhe ai e bashkëpunëtorët e tij janë ata që me korrupsionin e tyre, duke përvetësuar në mënyrë të paligjshme miliona euro nga qytetarët, janë bërë shkaktarët e vërtetë të shpërnguljes masovike të qytetarëve tanë nga vendi”, theksoi Behar Emini, Lidhja Europiane për Ndryshim.

Në qershor të këtij viti nipi i kreut të BDI-së, Aliut, Drin Ahmeti, kompania e të cilit është “Tor Industries”, së bashku me kompaninë shqiptare “Pe-vla-ku”, morën në posedim qendrën e biznesit “Soravia”. Kritika më të zëshme ka pasur nga opozitarja e VMRO DPMNE-së, e cila pretendom se me paratë e vjedhura publike janë investuar ndërmjet 25-30 milion euro në Qendrën Tregtare me 15,570m2. Ata e lidhin nipin e Ahmetit me vegzën e tenderëve publik të përvetësimeve personale të udhëheqësve të BDI-së, të cilët janë në pushtet. VMRO gjithashtu akuzon se këto janë vetëm disa nga paratë e korrupsionit dhe të kriminalitetit financiar të taksapaguesve të zhvatura ndër vite nga qytetarët dhe bizneset në vend. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button