Pas kryeministrit në Qeverinë teknike, BDI-ja synon pozitën e presidentit të shtetit

Pas kryeministrit në Qeverinë teknike, BDI-ja synon pozitën e presidentit të shtetit

Gazetar: Lluka Andreev

Pas kryeministrit shqiptar, BDI do të synojë presidentin shqiptar të shtetit. Këtë e bëri të ditur nënkryetari i kësaj partie, Bujar Osmani, por nuk saktësoi se në cilin cikël zgjedhor. Ai tha se me zgjedhjen e Talat Xhaferit kryeministër teknik, posti i kryeministrit nuk do të monopolizohet më etnikisht.

Nga LSDM-ja njoftuan emrin që do të zëvendësojë Xhaferin në Kuvend. Për kryeparlamentar të ri LSDM-ja propozon koordinatorin e grupit parlamentar, Jovan Mitreski.

“Emri i Talat Xhaferit për LSDM-në është i pranueshëm, duke marrë parasysh se kryetar i Kuvendit, që është gjtihashtu post serioz në shtet, do të jetë emri i Jovan Mitreskit, i cili do të jetë nga partia jonë dhe është i përkatësisë etnike maqedonase”, deklaroi Daniella Markovska – deputete e LSDM-së.

Pakënaqësi shprehu VMRO-DPMNE-ja. Nga partia opozitare vlerësojnë se Xhaferi nuk është zgjidhja e duhur për kryeministër.

“Despoti nga Forina është personazh i njohur për publikun, që nga shkeljet e ligjeve dhe procedurave, deri te regjistrimet me të sharat dhe shpërthimet e tij të pahijshme, që nuk janë aspak material për kryeministër të një vendi si Maqedonia në krizë”, tha Naum Stoillkovski – zëdhënës i VMRO-DPMNE.

Paraprakisht, VMRO-DPMNE kishte kërkuar edhe shfuqizimin e Qeverisë teknike, por koalicioni në pushtet u përgjigj se tashmë është vonë dhe për këtë mund të diskutohet pas zgjedhjeve të ardhshme. Për këtë arsye, tani për tani nuk dihet nëse VMRO-ja do të marrë pjesë në Qeverinë teknike, ndërsa nga LSDM-ja shprehen se nuk do të ishin habitur. Partisë opozitare i takojnë postet ministrore për punë të brendshme, punë dhe politikë sociale, si dhe disa zëvendësministra.

“Në periudhën e ardhshme organet e VMRO-DPMNE-së do të marrin vendime nëse do të marrin pjesë dhe eventualisht me cilët emra do të merrnin pjesë në një Qeveri të tillë”, u shpreh Naum Stoillkovski – zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

“Kjo nuk do të ishte asgjë e re. Ata vazhdimisht po bojkotojnë dhe bllokojnë edhe në Parlament”, theksoi Daniella Markovska – deputete e LSDM-së.

Ndërkohë emri i Jovan Mitreskit si kryeparlamentar i ri pritet të konfirmohet nesër në seancën e Këshilli Ekzekutiv të LSDM-së. Më pas me siguri do të bëhet e ditur se se kur kjo pikë do të hidhet për votim para deputetëve. Qeveria Teknike pritet të formohet më 28 janar. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button