Lista e zezë e SHBA-së – Flet Jakimovski: S’është kjo nga organet e drejtësisë por nga spiunët maqedonas

Lista e zezë e SHBA-së – Flet Jakimovski: S’është kjo nga organet e drejtësisë por nga spiunët maqedonas

Gazetar: Lluka Andreev

Socialdemokratët sërish i kanë bërë thirrje deputetit të VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski që në Komisionin parlamentar për politikë të jashtme të vendosë në rend dite propozimin e Ligjit për Masat Kufizuese, që ka të bëjë me personat që përfshihen në “listën e zezë”, shkruan Alsat.

LSDM-ja nuk e komentoi propozimin e Milloshoskit që autoritetet t’i ndjekin këta persona përmes Ligjit për bashkëpunim ndërkombëtar dhe ekipit të përbashkët hetues nga Maqedonia dhe SHBA-ja.

Sipas partisë në pushtet, hap i Milloshoskit me Ligjin për Masat kufizuese tregon se opozita bllokon gjithçka në drejtim të luftës kundër korrupsionit.

“Deputeti Antonio Milloshoski së pari duhet të marrë guximin dhe të caktojë Komisionin që ai drejton në Kuvend që Ligjin për Masat Kufizuese ta vendosë në rendin e ditës dhe në këtë mënyrë të tregojë se ka njëfarë përkushtimi në fushën e këtyre çështjeve, por si dhe në të kaluarën, edhe tani, kemi parë që edhe DPMNE edhe Milloshoski dhe Mickoski janë të përkushtuar vetëm në mënyrë deklarative në luftën kundër krimit”, tha Darko Kaevski – deputet i LSDM-së.

Opozita paraprakisht kishte sugjeruar që Ligji për Masat kufizuese, i cili parashikon që Prokuroria të veprojë ndaj personave që do të përfundonin në listat e zeza amerikane dhe evropiane, të jetë temë e debatit publik të ekspertëve.

Ai parasheh që Gjykata të ketë mundësi të shqiptojë masë ndalimi për kryerjen e funksioneve publike. Ndërkohë, VMRO-ja akuzoi qeverinë për mbrojtjen e njerëzve që janë të padëshirueshëm për Uashingtonin.

“Në ‘listën e zezë’ është edhe kukulla e LSD-së dhe Kovaçevskit, kryetari i komunës së Karposhit Stevço Jakimovski. Jakimovski, i cili është në koalicion joformal me LSD-në dhe punon që qeveria të ndajë votat e opozitës, është në këtë listë të SHBA-së për krime të përmasave të larta. LSD dhe BDI e shpëtuan Stevço Jakimovskin nga të gjitha proceset gjyqësore në Maqedoni, por ai është person i padëshirueshëm për SHBA-në…”, thonë nga VMRO.

Jakimovski, nga ana tjetër, sot në Prokurori ka paraqitur kallëzim penal kundër një personi të panjohur. Në vend të Departamentit të Shtetit, ai e drejtoi gishtin drejt qytetarëve të Maqedonisë që u përpoqën të ndikojnë në garën presidenciale.

“Kjo nuk është nga organet e hetuesisë, nuk është nga përfaqësues të ambasadës dhe politikës zyrtare amerikane, por nga spiunët maqedonas që janë të përfshirë në këto lojëra të pandershme dhe që vazhdimisht sugjerojnë se kush duhet të futet në listën e zezë”, u shpreh Stevço Jakimovski – kryetar i komunës së Karposhit.

Jakimovski dhe prokurorja Katica Janeva përfunduan në “listën e zezë” amerikane për shkak të korrupsionit dhe rrënimit të sundimit të ligjit./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button