LSDM-ja akuzon kreun e komunës së Ohrit për nepotizëm

LSDM-ja akuzon kreun e komunës së Ohrit për nepotizëm

Gazetar: Avni Tahiri

LSDM-ja akuzon kreun e komunës së Ohrit për nepotizëm pasi siç thonë ka punësuar të afërmit e tij duke përfshirë edhe kumbarin. Sipas LSDM-së, lista e nepotizmit të DPMNE-së dhe Kiril Petsakovit në Ohër është e gjatë, duke shtuar se ka punësuar në Ohër familjarë, miq, kumbarë dhe drejtues të afërt të VMRO DPMNE-së dhe Hristijan Mickoskit.

“1. Kumbari i kryetarit Pecakov, Sasho Donev është kryetar i komitetit komunal të DPMNE-së në Ohër. – Motra e gruas së tij, Biljana, është e punësuar në qendrën shkollore komunale “Shën Naum Ohri”. 2. Aleksandar Kiteski është i afërt me Pecakov dhe DPMNE dhe aktualisht është sekretar i Komunës së Ohrit. -Gruaja e tij Elena Kiteska është e punësuar në shkollën fillore “Koço Racin” në Shkup. – Kurse edhe motra e gruas së Kiteskit, Kristina, është e punësuar në një institucion në kompetencë të komunës, gjegjësisht në JP Ohër Komunalec. – Një i afërm i Kiteskit, Riste është përfaqësues ligjor i të njëjtës ndërmarrje JP Ohridski Komunalec dhe kryetar i GRK Ohrit SHA. – Ndërsa kumbarja e Kiteskit, Ana Sërbinovska është e punësuar në Komunën e Ohrit – Andonovski kumbarja është drejtor i Ndërmarrjes Publike “Biljanini Izvori”, tha Bogdanka Kuzeska, LSDM.

Nga ana tjetër nga VMRO DPMNE-ja iu kundërpërgjigj akuzës së LSDM-së duke quajtur LSDM-në kumbarë të nepotizmit, dhe shtojnë se siç thonë gruaja e Kovaçevskit ka marrë tokë shtetërore për fotovoltaikë nga qeveria e tij dhe shtojnë se duhet të pyesin kryetarin e tyre për punësimin në komunën e Qendrës.

“LSD dhe Kovaçevski janë kumbarët e nepotizmit. Në një seancë të qeverisë të udhëhequr nga Dimitar Kovaçevski, gruas së tij i është ndarë tokë shtetërore për fotovoltaikë me çmim prej 1 euro për metër katror. Ndërsa Kovaçevski ishte zëvendësministër i financave dhe anëtar i qeverisë, kumbari i tij Paunov mori ndihmë shtetërore përmes kompanisë Pixel Group. Partia që prodhoi një nepotizëm të tillë duhet të fshihet dhe të turpërohet nga njerëzit që e grabitin prej vitesh”, thonë nga VMRO DPMNE.

Partitë kanë intensifikuar akuzat e ndërsjella ende pa filluar zyrtarisht fushata parazgjedhore, e cila zyrtarisht fillon më 4 prill./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button