Lufta që shënoi një vit të tërë

Lufta që shënoi një vit të tërë

Një luftë e paprovokuar, mizore, ia dha konotacionin negativ vitit dy mijë e njëzet e dy. Presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin, në stilin e një politikani dinak e të pamëshirshëm, sulmoi shtetin fqinj, Ukrainën, me pretendime për ozurpim.

Një veprim i këtillë, ktheu botën me dekada prapa, si për të na rikujtuar terrorin e një ngjarje kaq tronditëse, siç është lufta. Fatmirësisht, përpjekjet e tij ranë ndesh me qëndrueshmërinë e ukrainasve, që s’lanë britmë pa e kthyer në kundërveprim.

Gazeta Online Reporteri.net ju sjell një përmbledhje kronologjike të ngjarjeve që përkufizuan luftën Rusi-Ukrainë, që filloi pikërisht këtë vit që po e lëmë pas, më 24 shkurt 2022.

Shkurt: Rusia fillon pushtimin

Rusia sulmon Ukrainën më 24 shkurt, një ditë e skalitur në mendjen e çdo ukrainasi.

Luftimet e ashpra shpërthejnë në Ukrainën veriore ndërsa dhjetëra mijëra trupa ruse përpiqen të marrin kryeqytetin ukraina, Kievin. Mercenarët e Ëagner thuhet se janë ridislokuar nga Afrika në përpjekje për të vrarë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Një Zelensky sfidues filmon veten duke ecur nëpër rrugët e Kievit, teksa dha një mesazh të qartë dhe bindës: “Unë jam këtu. Nuk do të dorëzohemi”.

Kjo lëvizje e ish-komedianit të kthyer në politikan kthehet menjëherë në një mjeshtëri Piar-i, duke mbledhur ukrainasit dhe gjithë botën pas tij.

BE hap dyert e saj për qindra mijëra refugjatë që derdhen nga Ukraina, në vendet fqinje si Polonia, Hungaria dhe Rumania, vende këto të lavdëruara shumë për bujarinë e tyre.

Kombet e Bashkuara dënojnë në mënyrë dërrmuese agresionin e Rusisë dhe Perëndimi vendos sanksione ndaj Moskës.

Mars: Terror në Bucha

Valët e goditjes nga pushtimi rus kumbojnë në mbarë botën.

Çmimet e ushqimeve dhe energjisë rriten ndërsa vëmendja kthehet tek ndikimi më i gjerë i luftës. Ka shqetësime të theksuara për koston e jetesës në perëndim, ndërkohë që siguria ushqimore kthehet në shqetësim në zona të mëdha të botës.

Shfaqen dëshmitë e para të krimeve të luftës ndërsa forcat ruse tërhiqen nga zonat përreth Kievit. Qindra trupa civilësh gjenden në varreza masive në Bucha. Shumë prej tyre u lidhën dhe u qëlluan nga një distancë e afërt, ndërsa të tjerët shfaqin shenja torture dhe përdhunimi.

Por shtytja e Rusisë për të kapur kryeqytetin ukrainas ka dështuar – tani për tani.

Rusia fillon të godasë mediat e pavarura dhe të ashpërsojë kundërshtimin ndaj luftës brenda vendit, me disa media lokale të mbyllura dhe me kufizim të çasjes në mediat e huaja.

Prill: Një fazë e re e luftës

Një sulm me raketa ruse godet një stacion treni në Kramatorsk më 8 prill, duke vrarë të paktën 50 civilë — duke përfshirë gra dhe fëmijë — dhe duke plagosur më shumë se 100. Shumica prej tyre po përpiqeshin të evakuoheshin.

Një raketë ukrainase dyshohet se fundosi anijen e flotës ruse të Detit të Zi, Moskva. Kjo është një goditje e madhe për supremacinë detare dhe prestigjin ushtarak të Moskës.

Prindërit fillojnë të bëjnë pyetje në lidhje me fatin e djemve të tyre të zhdukur, ndërsa autoritetet mbeten të heshtura në lidhje me viktimat midis ekuipazhit prej 500 personash të anijes.

Gati dy të tretat e fëmijëve të Ukrainës tani janë të zhvendosur nga Ukraina.

Maj: NATO rritet

Suedia dhe Finlanda — të lidhura ngushtë me NATO-n për dekada, por jo zyrtarisht pjesë e organizatës — zbulojnë ofertat e tyre për t’u bashkuar me NATO-n, megjithëse ka kundërshtime politike nga Turqia dhe Hungaria, e cila do të vazhdojë gjatë gjithë vitit.

Presidenti rus Vladimir Putin ka përmendur zgjerimin e NATO-s si një nga arsyet kryesore për pushtimin e Ukrainës, por duket se pushtimi ka pasur efektin e kundërt të forcimit të aleancës ushtarake perëndimore.

Në aspektin pozitiv, Ukraina lë shenjë në Evropë duke fituar konkursin e këngës, Eurovizion.

Qershor: 100 ditë luftë

Tashmë kanë kaluar 100 ditë lufte. Dhjetëra mijëra të vdekur, miliona të tjerë u shkulën nga shtëpitë e tyre dhe vendet historike dhe kulturore të Ukrainës janë shkatërruar nga luftimet.

Nike largohet nga Rusia, duke u bërë e fundit në një varg markash perëndimore që u larguan nga vendi për shkak të luftës. Ekspertët thonë se këto largime të profilit të lartë, së bashku me sanksionet ndërkombëtare, po gjymtojnë ekonominë ruse.

Megjithatë, ka ende debate rreth elasticitetit ekonomik të Rusisë dhe nëse sanksionet janë qasja e duhur, me disa që pretendojnë se ato prekin në mënyrë të padrejtë rusët e zakonshëm dhe përforcojnë retorikën antiperëndimore të qeverisë.

Por Rusia nuk është e vetmja që po lufton. Një krizë globale ushqimore po afrohet, me miliona ton drithë ukrainas të humbur që nga fillimi i luftës.

Deri në 181 milionë njerëz në 41 vende mund të përballen me pasiguri akute ushqimore dhe uri të plotë, sipas parashikimeve të OKB’së.

Korrik: Rusia përparon në lindje

Qyteti i fundit në rajonin lindor të Luhanskut bie nën pushtimin rus. Forcat luftarake të Ukrainës përqendrohen në mbrojtjen e Donetskut, pjesën e dytë të Donbasit.

Donbasi, një rajon shumë i industrializuar në Ukrainën lindore, është bërë qendra e betejës më të madhe në Evropë në breza.

Inflacioni arrin nivelet më të larta rekord në Eurozonë, ku euro barazohet me dollarin (1 EUR = 1 USD).

Rusia fillon të mbyllë periodikisht tubacionet e gazit Nord Stream në një përpjekje për të rritur presionin mbi Evropën. Udhëheqësit evropianë janë të trembur, duke rënë në buzë të një krize energjie para dimrit.

Ukraina dhe Rusia bien dakord për një marrëveshje historike që lejon eksportimin e grurit ukrainas përmes Detit të Zi. Është një përparim i madh që synon lehtësimin e krizës globale të ushqimit — një që sjell një moment qetësie për miliona.

Gusht: Ndalohet eksporti i gazit në Evropë

Ukraina dhe Rusia kanë kohë që flirtojnë me katastrofën në termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia në jug të Ukrainës. Por tani shefi i OKB-së Antonio Guterres thotë se dyshja duhet të ndalojë “sulmet e tyre vetëvrasëse” në centralin bërthamor, duke thënë se të dyja palët duhet t’i japin fund luftimeve atje.

Të gjitha eksportet e gazit në Evropë janë ndërprerë më 31 gusht, me vendim të gjigantit energjetik shtetëror të Rusisë Gazprom. Çmimet rriten menjëherë.

Shtator: Mobilizimi ushtarak

Ukraina nis një kundërofensivë të shpejtë në rajonin verilindor të Kharkiv, duke I detyruar njësitë ruse të tërhiqen.

Zelensky ngre flamurin ukrainas në qytetin e Izium, më 10 shtator. E pushtuar nga Rusia për gjashtë muaj, kjo është një fitore e madhe strategjike për Kievin.

Putin njofton një “mobilizim të pjesshëm” të 300,000 trupave për të luftuar në Ukrainë, duke shkaktuar një fluturim masiv të rusëve që ikin nga rekrutimi në Gjeorgjinë dhe Kazakistanin fqinjë.

SHBA pretendon se “qindra mijëra” qytetarë ukrainas po deportohen me forcë në Rusi në një “seri tmerresh”.

Pothuajse 1,200 protestues arrestohen në qytete anembanë Rusisë pas thirrjes për mobilizim.

Rusia anekson zyrtarisht Donetsk, Kherson, Luhansk dhe Zaporizhzhia më 30 shtator. Në një lëvizje të quajtur të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar, Putin thotë se rajonet e aneksuara do të jenë pjesë e Rusisë “përgjithmonë”.

Tetor: Sabotim

Një shpërthim i madh ndodh në një urë që lidh Rusinë dhe Krimenë, e cila shërben si rrugë kryesore furnizimi për forcat e Moskës që luftojnë në Ukrainë. Kjo ndodh një ditë pas ditëlindjes së Putinit.

Kievi nuk merr përgjegjësinë për shpërthimin, megjithëse Rusia tregon për “terrorin ukrainas”. Prestigjit të Rusisë në rajon i është dhënë një goditje therëse.

Nëntor: Çlirimi i Khersonit

Trupat ukrainase derdhen në Kherson më 11 nëntor.

Qyteti port jugor, dikur shtëpia e 250,000 njerëzve, ishte një nga të parët që ra në duart e forcave ruse, gjatë ditëve të para të luftës.

Polonia është vënë në gatishmëri të lartë pasi një shpërthim në afërsi të kufirit me Ukrainën vrau dy persona. Mësohet se shpërthimi vdekjeprurës u shkaktua nga një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase.

Inflacioni në Evropë zbutet, por ai është ende në shifra dyshifrore të dhimbshme, duke arritur në 10% në nëntor. Rusia shpreson se rritja e çmimeve të konsumit dhe valët e reja të refugjatëve ukrainas do të gërryejnë vendosmërinë e liderëve evropianë.

NATO premton të pranojë Ukrainën në aleancën perëndimore, megjithëse ka dyshime të konsiderueshme se kur do të lejohet të bashkohet Kievi.

Dhjetor: Paralajmërime të zymta për pranverën

Zelensky shkon në SHBA, vizita e tij e parë shtetërore jashtë vendit që nga fillimi i luftës.

Duke thënë se Ukraina “nuk do të jetë kurrë vetëm”, presidenti i SHBA Joe Biden premton të dërgojë sistemet e mbrojtjes ajrore, Patriot, për të ndihmuar Ukrainën të shmangë sulmet ruse në infrastrukturën e saj energjetike.

SHBA-ja kishte hezituar t’i jepte Ukrainës këtë armë me rreze të gjatë për shkak të frikës së ndezjes së tensioneve me Rusinë. Moska paralajmëron Uashingtonin për dërgimin e më shumë armëve në Kiev.

Autoritetet ukrainase ngrenë frikën se Rusia mund të përpiqet të marrë përsëri Kievin në Vitin e Ri, pas ofensivës së saj të dështuar në fillim të luftës.

Në ditën e Krishtlindjes, Putin pretendon se Rusia është “gati për të negociuar” me Ukrainën – një kërkesë e përjashtuar nga udhëheqësit në Ukrainë. Presidenti rus përdor publikisht fjalën “luftë” për t’iu referuar pushtimit të vendit të tij për herë të parë.

LEXO EDHE:

Back to top button