Majk dhe Getoari kanë në plan një bashkëpunim, çfarë po përgatisin reperët?

Nga “S’jena mo” tek “Ajo”, “Malena” e deri tek bashkëpunimet me çunat e tjerë të Babastars, Majk dhe Getoari kanë treguar se bashkë mund të sjellin vetë perla. Kur dy reperët bëhen bashkë suksesi është i garantuar dhe nëse do ju kërkonim një këngë të tyre që nuk është kthyer në hit, s’do e gjenit dot.

E kështu ndodhi edhe me këngën e fundit që publikuan për verë “Je t’aime”, që numëron mbi 21 milionë klikime. Pas këtij suksesi, çunat janë futur sërish në studio e diçka po gatuajnë. Ishte Majk ai që na e tregoi këtë gjë disa kohë më parë duke publikuar një foto nga studioja ku po punonte me Ghetto Geasyn, por pa zbuluar detaje të tjera.

Disa javë më pas, Getoari na paralajmëroi në Instastory se shumë shpejt do sjellin këngën e parë të albumit. Reperi ka pyetur fansat nëse janë gati për bombën e parë, teksa në një status tjetër i pyet nëse duan diçka “të rëndë” apo komerciale.

Nuk ka ende detaje rreth këtij projekti muzikor që pritet të trazojë ujrat në rep, por mund të publikohet para Vitit të Ri. Dy çunat kanë publikuar mbrëmjen e djeshme në Instagram një foto simbolike, ku shihet një sëpatë, duke dhënë një “paralajmërim” të qartë.

Kujtojmë se Majk na bëri me dije pak muaj më parë, se ata kanë ndërmend të sjellin edhe një album së bashku.

Pjesë e tij do jetë edhe Onat, anëtari tjetër i Babastars, teksa sipas autorit të hitit “Dynja”, albumi mund të publikohet në stinën e dimrit.

Megjithatë, ai nuk e përjashton mundësinë që ky album të pasohet nga një tjetër solo, pasi siç bëri me dije ka gati shumë projekte.

LEXO EDHE:

Back to top button