Manastirliu flet për variantin Omicron

Ministrja e Shëndetësisë së Shqipërisë , Ogerta Manastirliu, nga qendra e vaksinimit të përqendruar në stadiumin “Air Albania”, tha se të gjitha vendet, përfshirë edhe Shqipërinë janë të shqetësuara sa i përket përhapjes së variantit Omicron në disa vende, teksa bëri thirrje për vaksinimin kundër Covid-19.

“Është e rëndësishme të vijojmë vaksinimin edhe në raport me variantin e ri Omicron që tashmë ka shqetësuar botën. Jo duke i vendosur vendet në panik, por i ka vendosur në një gatishmëri të shtuar të gjitha vendet, ashtu sikurse edhe ne”, tha Manastirliu.

Duke folur për variantin e ri Omicron, Manastirliu tha se ISHP do të dërgojë mostrat për analizim për të parë më pas nëse ky variant ka qarkulluar apo po qarkullon në Shqipëri.

“Instituti i Shëndetit Publik është duke punuar për të përgatitur mostrat sipas protokolleve të ECDC, për t’i çuar për t’i analizuar dhe për të vijuar më tej sekuencimin e këtyre mostrave. Për të bërë dhe ne të gjithë atë hartëzimin e nevojshëm për të vlerësuar nëse varianti Omicron qarkullon në vendin tonë dhe sigurisht ajo çfarë është më e rëndësishme është që të rrisim vigjilencën”, tha Manastirliu.

Lidhu me masat anticovid, Manastirliu tha: “Ne jemi duke bërë një vlerësim të imtësishëm të gjitha masave aktuale që ne kemi në luftën kundër Covid-19, duke filluar nga masat ekzistuese të qarkullimit, patjetër të distancimit, të vendosjes së maskave në ambientet e brendshme. Janë elemente shumë të rëndësishëm të cilët duhet të vazhdojnë që të zbatohen nga të gjithë qytetarët, pasi kjo është një betejë e cila fitohet vetëm nëse qytetarët dhe autoritetet janë së bashku në zbatimin e këtyre masave të thjeshta. Sigurisht duke vijuar me rritjen e mbulesës vaksinale dhe me vaksinimin qoftë me dozat e para, qoftë me duke u vaksinuar plotësisht për të mos vonuar vaksinën apo dozën e dytë dhe qoftë për të bërë vaksinën përforcuese apo dozën e tretë, tha Manastirliu.

Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, prof. Silva Bino tha: “Omicron nga pikëpamja e transmetueshmërisë mendohet që ka një transmetueshmëri të lartë. Mendohet që mund të jetë më i lartë se transmetueshmëria e Deltës, megjithatë edhe kjo mbetet për t’u parë sepse ka nevojë që të vlerësohet se si është transmetueshmëria brenda familjes apo jashtë saj. Për sa i përket formave të rënda, natyrisht shtimi i rasteve mund të pasohet edhe me format e rënda. Ajo çka ka rëndësi është që të vlerësohet ai evitimi i imunitetit qoftë natyror qoftë edhe nga vaksina. Megjithatë kemi të dhëna, jo të gjitha të dhënat e mundshme, por që vaksina ka një efektivitet prandaj është shumë e rëndësishme të vaksinohemi”, tha Bino.

Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 2,103,351 doza të vaksinës ndaj COVID-19. Nga të cilat, 1,072,645 janë doza të para; 961,013 doza të dyta dhe 67,381 doza të treta. Vaksinimi ndaj COVID-19 është i hapur për të gjithë personat +16 vjeç si dhe fëmijët +12 vjeç me probleme të sistemit imunitar.

LEXO EDHE:

Back to top button