Manipulimet me rrymën, BNJVL hesht

Manipulimet me rrymën, BNJVL hesht

Gazetar: Andrea Çobanova 

Heshtje nga komunat pas akuzave nga Komisioni Rregullator se për fajin e tyre qytetarët nga muaji i ardhshëm do të paguajnë rrymën 10% më shtrenjtë. Nga Bashkësia e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL) thonë se nga e hëna do të kenë përgjigje për akuzat. Rregullatori dje ka drejtuar gishtin te komunat për shpenzimet e shtuara, të cilat kanë krijuar ndërmarrje të reja dhe kanë shfrytëzuar energjinë elektrike nga furnizuesi universal EVN. E kanë marrë si për amvisëri dhe e kanë përdorur për ndriçimin e rrugëve. Kjo EVN-së i ka shkaktuar kosto shtesë deri në 30 milionë euro, shkruan Alsat.

“BNJVL-ja pritet të ketë seancë të bordit drejtues të hënën, dhe pritet të ketë qëndrim për deklaratat e Komisionit Rregullator për Energji”, BNJVL

Për opinionin mbetet e panjohur se sa nga komunat kanë themeluar kompani të reja, ndonëse rregullatori tha se EVN do të publikojë listën e komunave. Megjithatë, EVN thotë se për shkak të politikës së privatësisë, të dhënat personale të përdoruesve nuk mund të ndahen.

“Sipas ligjeve në fuqi dhe politikës së privatësisë, çdo kompani ofruese e shërbimeve në vend është e ndaluar të ndajë të dhënat personale të përdoruesve me palë të treta. Shlyerja e borxhit bëhet nga përdoruesi që ka shfrytëzuar energjinë elektrike, pavarësisht nëse është person fizik apo juridik”, -EVN Maqedoni

Qytetarët thonë se rritja e paralajmëruar do të jetë e vështirë të përballohet me të ardhurat mujore të ulëta dhe në kohën kur gjithçka është më shtrenjtë.

“Sinqerisht, në këtë situatë në të cilën është Maqedonia ekonomikisht, rroga të ulëta, pensione të ulëta, nuk mund ta përballojmë. Shteti duhet të bëjë diçka për ta amortizuar atë”, qytetarë

“Të ardhurat nuk përputhen me çmimet e EVN-së, janë të shtrenjta”, qytetarë

Sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe Ligjit për Ndërmarrjet Publike, komunat kanë të drejtë të themelojnë ndërmarrje publike që do të kujdeset për ndriçimin e rrugëve. Çmimi i ri i energjisë elektrike do të formohet muajin e ardhshëm, pasi Komisioni Rregullator të vendosë se sa dhe nëse do të pranojë kostot e raportuara nga kompanitë energjetike në vend. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button