Manipulohet balancuesi për përfaqësim të drejtë, punësohen dhjetëra maqedonas si shqiptarë

Vetëdeklarimi i rrejshëm i përkatësisë etnike për të përmbushur njërin nga kushtet për punësim në institucionet e vendit merr përmasa shqetësuese. Në tre vendime për punësim në Agjencinë për ushqim dhe veterinari të shpallura ditët e fundit, qytetarë me emër dhe mbiemër që identifikojnë përkatësinë e tyre etnike maqedonase, janë pranuar në vendet e punës të caktuara për shqiptarë, turq, boshnjakë, dhe rom.

Konkursi me numër 102/2020 ka parashikuar 15 punësime, 9 prej të cilëve duhet të ishin shqiptarë, 2 turq, 2 maqedonas, 1 boshnjak dhe 1 rom. Realisht, emrat e gjithsej 11 të pranuarve në punë tregojnë se 10 prej tyre janë maqedonas dhe 1 turk.

Vendimi për punësim sipas konkursit 99/2020 ka qenë pozitiv për Ravijojla Dobrevskën e cila është deklaruar si turke, Koce Petrovit të deklaruar si shqiptar dhe Alen Dreca i cili është deklaruar shqiptar por besohet të jetë nga përkatësitë e tjera etnike. Në këtë konkurs janë kërkuar dy shqiptar dhe një turk.

E njëjta situatë është edhe në vendimin për punësim sipas konkursit 101/2020, po në Agjencinë për ushqim dhe veterinari, sipas të cilit shumë prej kandidatëve duhet të plotësonin kushtin e përkatësisë etnike, të ishin shqiptarë. Përkundër konkursit, vendimi pozitiv për pranim në punë ka gëzuar 10 maqedonas dhe vetëm 1 shqiptar.

Alsat ka publikuar rishtazi raste të ngjashme kurse i fundit ishte ai me 19 punësime në Inspektoratin Shtetëror të Bujqësisë. Qytetarët shfrytëzojnë të drejtën kushtetuese dhe rrejshëm deklarojnë përkatësinë e tyre etnike, varësisht kërkesave të konkursit për punësim. Përkatësia etnike e kandidatëve që mund të aplikojnë përcaktohet automatikisht nga softueri i njohur si balancues dhe që përdoret për t’u siguruar përfaqësim të drejtë etnik në institucione.

Nga Qeveria kishin bërë thirrje për durim deri në gjetjen e një mundësie për zgjidhjen e problemit. Ndërkaq, BDI-ja në programin zgjedhor shkurt kishte deklaruar se do të angazhohet për të penguar vetëdeklarimin e rrejshëm të përkatësisë etnike. Ndërkohë, aktualisht nuk ka asnjë mekanizëm ligjor për të penguar këtë keqpërdorim dhe manipulim të sistemit për punësim.

Fatlume Dervishi

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button