Zaev: Presim që para 17 nëntorit t’i japim fund problemit me Bullgarinë

Përskaj këmbënguljes së Sofjes se nuk heq dorë nga pozicionet e saja, Kryeministri Zaev mbetet optimist se kontesti maqedono-bullgar do të zgjidhet deri më 17 nëntor. Zaev nuk konfirmoi nëse në takimin e djeshëm, Borisov kërkoi nga Shkupi të nënshkruajë aneks ose protokoll se do ta respektojë marrëveshjen e 2017-tës, ndërsa pjesë e saj do të jenë edhe gjuha, identiteti e historia. Nuk tha se çfarë kompromisi mund të bëjë, por vetëm u zotua se identiteti maqedonas do mbetet i pacenuar.

Është mirë që deri më 17 nëntor të gjejmë zgjidhje, për mua mbeten të hapura mundësitë deri në fund të dhjetorit ta mbajmë konferencën e parë ndër-qeveritare. Por definitivisht shanset për zgjidhje tani janë më të mëdha ndërsa pas 17 nëntorit janë më të vogla dhe besoj se këto ditë maksimalisht të dy palët do t’i shfrytëzojmë ditët, orët dhe minutat. Ja edhe në momentet që flas, grupet e punës po punojnë online dhe besoj se do gjejnë zgjidhje cilësore – deklaroi Zoran Zaev Kryeministër .

Për situatën e paqartë me Sofjen, opozita maqedonase vazhdon ta fajësojë pushtetin, duke i kërkuar përgjegjësi.

Është tragjike që procedurat tregtare të Zaevit e Dimitrovit dhe të përfshirët tjerë, për momentin humb dhe vuan pasoja vetëm Republika e Maqedonisë dhe populli maqedonas. Zgjidhje e vetme është Qeveria për shpëtim kombëtar në vend të kësaj Qeveria që tre vjet i shet interesat shtetërore – u shpreh Dimçe Arsovski, VMRO DPMNE.

Ndërkohë, Gazeta gjermane, Frankfurter Algemajne Cajtung shkruan se vetoja bullgare mund ta rrezikojë gjithë procesin e zgjerimit të BE-së me Ballkanin Perëndimor. Porosi për zgjidhje të kontestit, pos kancelares gjermane Merkel, përçoi edhe Presidenti francez, Makron i cili premtoi mbështetje për vendet e rajonit në zgjidhjen e kontesteve politike dhe realizimin e reformave.

Anesa SaliHu

LEXO EDHE:

Back to top button