Mbahet ankandi për zgjedhjen e furnizuesit universal me energji elektrike për pesë vitet e ardhshme, ky është kushti

Mbahet ankandi për zgjedhjen e furnizuesit universal me energji elektrike për pesë vitet e ardhshme, ky është kushti

Gazetar: Adnan Qaili

Sot u mbajt ankandi elektronik ku shqyrtohet se kush do ta fitojë tenderin për furnizimin me energji elektrike të konsumatorëve të Maqedonisë në 5 vitet e ardhshme, shkruan Alsat.

Kushti kryesor është të ofrohet një marzhë fitimi më e ulët, e cili tani arrin në 11.5% nga furnizuesi i mëparshëm universal “EVN Home”.

Përveç “EVN Home”, për thirrjen aplikuan edhe EMV shtetërore dhe EDS greke – “Energy Delivery Solutions”, e cila është një kompani bijë e Kompanisë Greke të Energjisë Elektrike PPC.

“Sipas Ligjit për energjetikë, me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, më 11 dhjetor Qeveria ka shpallur thirrje publike për përzgjedhjen e furnizuesit të ri universal për 5 vitet e ardhshme. Qeveria po ashtu formoi komision të përbërë nga Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, nga Komisioni rregullator për energjetikë, nga Ministria e Ekonomisë dhe nga Akademia e shkencës dhe arteve të Maqedonisë, ku nga kjo e fundit kryetar i komisionit është akademiku Gligor Kanevçe”, thonë nga Qeveria.

Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike tha se sot do të shqyrtohen ofertat nga aplikimi elektronik nëse janë të kompletuara dhe i përmbushin të gjitha kriteret e tenderimit. Sipas Fatmir Bytyqit, në 10 ditët e ardhshme do të përcaktohet përfundimisht furnizuesi i ri universal në bazë të marzhës më të ulët të fitimit, që do të ndikonte në uljen e çmimit të energjisë elektrike nga gjysma e dytë e vitit 2024.

“Po, ajo është një nga idetë që marzha më e ulët ndikon në çmimin e faturave të rrymës për konsumatorët përfundimtar, duhet të ulen. Gjithsesi, bëjmë përpjekje që me të gjitha investimet të krijojmë kapacitete të energjisë së rinovueshme dhe në transformimin e energjisë së gjelbër që qytetarë të kenë sa më të ulëta faturat për energji elektrike si konsumator final”, tha Fatmir Bytyqi, Zëvendëskryeministër për çështje ekonomike.

Furnizuesi aktual universal “EVN Home” ka kontratë pesëvjeçare për furnizimin me energji elektrike të konsumatorëve në tregun e rregulluar, deri më 30 qershor 2024. Furnizuesi i ri do të duhet ta marrë këtë rol nga 1 korriku 2024 dhe do të ngarkohet me furnizimin e konsumatorëve me energji elektrike në tregun e rregulluar. Bashkë me këtë Komisioni rregullator për energjetike do të rishikoj çmimet e rrymës, të cilat sipas ofertave të furnizuesit universal, rryma pritet të jetë më e lirë./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button