Qeveria Teknike, VMRO-ja nuk zbardhi emrat

Qeveria Teknike, VMRO-ja nuk zbardhi emrat

Gazetare: Fatlume Dervishi

Kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se në takimin me kreun e opozitës Hristijan Mickoski, nuk do të flasë për kuadrot e VMRO-DPMNE-së në qeverinë teknike, shkruan Alsat.

Sipas tij, kuadrot që do të zgjedhë opozita, janë e drejtë e saj. Për takimin Kovaçevski-Mickoski nuk ka akoma datë.

“Për zgjidhjet kadrovike ne nuk mund të takohemi sepse secila parti politike i jep zgjidhjet e veta kadrovike në secilin koalicion qeveritar. Sipas thelbit dhe formës kjo qeveri do të jetë qeveri koalicioni në të cilën do të marrë pjesë edhe opozita me resorë të përcaktuar saktë sipas ligjit për qeverinë. Ata duhet t’i tregojnë kandidatët e tyre dhe t’i dorëzojnë në qeveri dhe në Kuvend që më vonë të zgjidhen. Sigurisht se do të takohemi që të bisedojmë edhe për elementet e tjera të zgjedhjeve”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Këto komente kryeministri i bëri gjatë aktivitetit ditor në spitalin “Shën Klimenti i Ohrit”, një ditë pas mbledhjes së Komitetit ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së në të cilën opozitarja vendosi të marrë pjesë në qeverinë teknike. Po ashtu ata vendosën se do të jenë të përmbajtur në votimin për qeverinë teknike për shkak se drejtimin e saj nga Talat Xhaferi e konsiderojnë si jolegjitime dhe thjeshtë si marrëveshje mes LSDM-së dhe BDI-së.

“Çështja e parë që u hap ishte a të merret pjesë në qeverinë teknike dhe njëzëri vendosëm që të marrim pjesë sepse ajo është qeveri e destinuar që të sigurojë proces të drejtë dhe të besueshëm zgjedhor. Nuk biseduam për zgjidhjet kadrovike por për këtë e autorizuam kryetarin e partisë i cili do të ketë të drejtë edhe të konsultohet me komitetin ekzekutiv, me anëtar të caktuar të partisë por edhe me persona të tjerë se cilët janë kandidatët më të mirë të cilët ne do t’i ofrojmë për anëtar të qeverisë e cila do ta ketë për detyrë të organizojë zgjedhje”, u shpreh Timço Mucunski, VMRO-DPMNE.

VMRO-DPMNE-ja formoi edhe ekipin e delegatëve të cilët do të zgjedhin kandidatin për president./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button