Merkel kërkon identifikim të atyre që “helmuan” Navalnyn


Lideri opozitar rus, Aleksei Navalny është helmuar kanë thënë mjekët e spitalit gjerman, Charite, ku po trajtohet aktualisht ai.

“Substanca e saktë nuk dihet ende. Analizat e zgjeruara kanë nisur. Efekti i helmit është parë disa herë në laboratore të pavarura”, ka thënë spitali.

Lideri opozitar është thënë se është ende në kujdes intensiv.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka kërkuar që të mbahen përgjegjës ata që qëndrojnë mbrapa helmimit të liderit opozitar rus, Aleksei Navalny.

Ajo i ka bërë këto deklarata pasi mjekët e spitalit Charite, ku po trajtohet ai në Berlin, kanë thënë përmes një deklarate se ka shenja që Navalny është helmuar, ndonëse substanca e saktë nuk dihet ende.

“Marrë parasysh rolin e rëndësishëm të Navalnyt në politikën opozitare në Rusi, autoriteteve atje u bëhet thirrje që të hetojnë këtë akt në detaje – dhe në mënyrë transparente”, ka thënë Merkel përmes një deklarate të përbashkët me ministrin e Jashtëm gjerman, Heiko Mass, transmeton agjencia e lajmeve, AFP.

“Ata që janë përgjegjës duhet të identifikohen dhe të mbajnë përgjegjësi”, është thënë mes tjerash në deklaratë.

Qeveria gjermane ka thënë më herët gjatë ditës se Navalnyt i duhet mbrojtje personale derisa është duke u trajtuar në një spital në Berlin.

Navalny është dërguar nga Siberia në Gjermani më 22 gusht, pasi i ishte përkeqësuar gjendja gjatë një fluturimi për në Moskë.

Mjekët kanë thënë se ka pasur çrregullime me metabolizmin.

Ndihmësit e Navalnyt kanë thënë se besojnë se ai është helmuar kur ka pirë një gotë me çaj, që e ka blerë në aeroportin e qytetit Tomsk, para se të nisej në Moskë.

Për këtë arsye aeroplani është detyruar të bëjë ulje emergjente, meqë Navalny nuk është ndjerë mirë.

Ministria e Shëndetësisë për rajonin Omsk, ku Navalny është trajtuar fillimisht, ka thënë më 22 gusht se kafeina dhe alkooli janë gjetur në organizimin Navalnyt por jo “ndonjë helm sintetik”.

LEXO EDHE:

Back to top button