Mësimi online nga shtëpia, probleme shtesë për mësimdhënësit
Mungesa e ngrohjes në shkollë dhe e kushteve të caktuara për mësim ka detyruar shumë mësues që mësimin online ta realizojnë nga shtëpia. Vendim konkret për këtë nuk ka. Por pas deklaratës së Ministres së Arsimit, Carovska se shkollat në bashkëpunim me komunat mund të vendosin që mësuesit të ligjërojnë nga shtëpia për të kursyer mjetet e ngrohjes, disa shkolla kanë nisur që zbatojnë këtë rekomandim. Por, disa nga mësuesit që kontaktuam thanë se po përballen me vështirësi të shumta në shtëpi, sepse, jo çdo mësues arrin ti siguroj mjetet për punë dhe internetin. Mësuesi, Mamer Shabani tha për Alsat se rreth dy javë mësimin po e zbaton nga shtëpia për shkak se shkolla nuk posedon ngrohje në orët e pasdites.
Kushtet shumë më të mira janë në shkollë, veçanërisht për ato arsimtarë që japin kimi, fizikë dhe tjera lëndë, sa I përket mësimit të mbahet. Shumë arsimtarë janë ftohur, janë sëmurë dhe ne jemi detyruar të punojmë prej në shtëpi. Prej se jam sëmurë, gati dy javë, prej në shtëpi jam duke mbajtur. Ne kemi qenë në shkollë shumica e arsimtarëve derisa filluam një nga një të sëmuremi. Ishim të detyruar të largohemi nga shkolla dhe të mbajmë mësim në shtëpi. Prej në ora 13 nuk ka ngrohje të mirë, aspak nuk ka ngrohje – deklaroi Mamer Shabani, mësues në Sh.f “Ismail Qemali”.
Por ka edhe shkolla që vazhdojnë të zbatojnë mësimin online në ambientet shkollore. Në shkolla profesionale “Cvetan Dimov”, nuk do të kursej në ngrohje derisa nuk detyrohen për ndryshime në orarin e punës në shkollë.
Nëse na kanoset ndonjë situatë pak më e vështirë do ta mendojmë edhe opsionin tjetër prej në shtëpi, edhe duke e pas parasysh se një pjesë e kolegëve nuk kanë kushte, nuk kanë mundësi prej në shtëpi. Vazhdimisht jemi në kontakt edhe me shërbimin pedagogjik por edhe me profesorët që ta gjejmë një balanc – tha Visar Duraku, drejtor i shkollës profesionale “Cvetan Dimov”.
Mësimdhënësit dhe nxënësit vazhdojnë të kërkojnë që të kthehen në shkolla për të ndjekur mësimin, por nga Ministria e Arsimit kanë thënë se kjo varet nga gjendja epidemiologjike dhe se për momentin mësimi do të vazhdoj nga distanca.
Melihate Rustemi