MPB në përplasje për sistematizimin – akuza për balancë etnike, pushteti garanton përfaqësim të drejtë
Gazetare: Fatlume Dervishi
Informacionet për rrezikun që sistematizimi i ri në MPB paraqet për përfaqësimin e drejtë, ngjallën reagime. BDI-ja thotë se është e shqetësuar nga paralajmërimet për riorganizimin e strukturës drejtuese në MPB, për të cilin thotë se do të ketë pasoja të drejtpërdrejta në përfaqësimin e drejtë dhe në balancën ndëretnike brenda institucioneve të sigurisë.
“Në rrethanat aktuale, kur një pjesë e konsiderueshme e këtyre pozitave mbahen nga shqiptarë, shfuqizimi i tyre pa mekanizma të qartë për garantimin e përfaqësimit krijon rrezik real për prishjen e balancës së arritur ndër vite. Deklaratat e përgjithshme për “mosshqetësim” nuk janë të mjaftueshme. Kërkohet transparencë e plotë mbi sistematizimin e ri, kriteret e përzgjedhjes dhe mënyrën konkrete se si do të garantohet përfaqësimi i drejtë në strukturat drejtuese të Ministrisë së Punëve të Brendshme,” thonë nga BDI.
- Shfuqizimi i tyre pa mekanizma të qartë për garantimin e përfaqësimit krijon rrezik real për prishjen e balancës së arritur ndër vite.
- Transparencë e plotë mbi sistematizimin e ri, kriteret dhe mënyrën se si do të garantohet përfaqësimi i drejtë.
Institucionet e sigurisë, sipas BDI-së, nuk mund të trajtohen si hapësirë për eksperimente dhe se çdo reformë duhet të forcojë profesionalizmin, por njëkohësisht të ruajë balancën ndëretnike. Ata shtojnë se çdo devijim nga këto parime do të ketë pasoja afatgjata.
Deputetja Arbana Pasholli madje ritheksoi akuzat për degradim të Departamentit për Punë të Brendshme të Dibrës, akuzë të cilën zv.ministri i Brendshëm Astrit Iseni e mohoi. Iseni zotohet se përfaqësimi i shqiptarëve në MPB do të mbetet madje edhe do të avancohet.
“Ruajtja e përfaqësimit të drejtë është parim i pandryshueshëm i MPB-së. Jo vetëm që do të mbetet, por do të avancohet sipas standardeve që respektojmë si institucion dhe si shtet. Garantoj se në çdo model të ri organizativ shqiptarët do të jenë të përfaqësuar në mënyrë të barabartë dhe në disa segmente edhe më mirë se më herët. Askush nuk do të lejojë nënçmim të ndonjë qyteti, rajoni apo bashkësie etnike,” deklaroi Astrit Iseni, Zv.ministër i Brendshëm.
Një ditë më parë ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski pranoi se ministria nëpërmjet sistematizimit të ri planifikon shfuqizimin e pozitave të zëvendësve dhe ndihmës kryeshefave të sektorëve. Struktura drejtuese do të jetë për 37-38% më e vogël kurse pozitat që mbesin do të kenë përgjegjësi të definuara konkrete.
Për momentin, shfuqizimi i pozitave të zëvendësve dhe ndihmës kryeshefave godet përfaqësimin e drejtë etnik meqë shumë prej tyre për momentin janë shqiptarë. I pyetur se si do të sigurohet përfaqësimi i drejtë në pozitat drejtuese në MPB pas sistematizimit të ri, ministri i Brendshëm tha se pozitat nuk janë të rezervuara paraprakisht për përkatësi të caktuara etnike por për profesionistë të të gjithë etnive.
Sipas planit të siguruar nga Alsat, sistematizimi i ri prek disa nga sektorët kyç strategjik të ministrisë në nivel qendror duke ndryshuar radhitjen e tyre në organogramë ose duke u krijuar sektorë me emër krejtësisht të ri. Disa ndryshime ka edhe në organizimin e Sektorëve për Punë të Brendshme por edhe të Departamenteve për Punë të Brendshme ose stacioneve policore lokale. Megjithatë, SPB-të si numër mbesin ato që janë edhe aktualisht, dhe nuk ka shuarje ose degradim në organogramë të asnjërës Njësi ose Departament për Punë të Brendshme. /Alsat.mk








