Ndryshimi i vazhdueshëm i motit shton virosat, mjekët apelojnë që të shmangen grumbullimet
Ndryshimi i vazhdueshëm i motit shton virosat, mjekët apelojnë që të shmangen grumbullimet
Gazetare: Linda Ebibi Ademi
Ndryshimet e shpeshta të temperaturave ndikojnë negativisht ndaj shëndetit, veçanërisht të fëmijëve, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike. Për shkak të temperaturave më të larta, lulëzimi i bimëve ndodh më herët, duke shkaktuar alergji tek disa persona, me simptoma të ngjashme me viruset. Mjeku Sedat Limani thotë se çdo vit rreth 10–15% e pacientëve janë raste të reja me alergji pranverore.
“Këto ndryshime të temperaturës paraqesin disa simptoma të cilat janë shumë të ngjashme me simptome të virusit, ose ftohjes ose infeksioneve të sistemit të sipërm të frymëmarrjes siç është kolla temperatura, teshtija, rrjedhja e hundëve, molisja, lodhja, humbet fuqia”, tha Sedat Lumani, Mjek amë.
Grumbullimet e shpeshta të njerëzve në organizime të ndryshme ndikojnë që viruset të përhapen shumë më shpejt. Një person i infektuar mund ta transmetojë virusin lehtë edhe tek të tjerët.
“Të gjitha sëmundjet virale të cilat përçohen me anë të organeve të frymëmarrjes por edhe me anë të kontaktit, janë të rrezikuar të gjithë njerëzit që nëse bëjnë pjesë në një ambient ku mjafton një njeri të jetë i sëmurë që të mund të kontaminohen”, deklaroi Sedat Lumani, Mjek amë.
Mjekët apelojnë për kujdes të shtuar dhe përshtatje të trupit me ndryshimet e temperaturave gjatë ditës. Personat me sëmundjet kronike duhet të marrin rregullisht terapinë e tyre, pa e anashkaluar atë. Po ashtu rekomandohet ushqyerje më e shëndetshme dhe ruajtje e higjienës personale. /Alsat.mk








