Në pamundësi për ta zgjedhur presidentin e ri, Vjosa Osmani shpërndau Kuvendin
Në pamundësi për ta zgjedhur presidentin e ri, Vjosa Osmani shpërndau Kuvendin
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nxori dekret për shpërndarje të Kuvendit, pasi ky institucion në mungesë kuorumi dështoi ta zgjidhte presidentin e ri deri më 5 mars. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu kërkoi menjëherë nga Gjykata Kushtetuese që të pezullohen afatet kushtetuese në mënyrë që presidenti të zgjidhet brenda 60 ditësh. Megjithatë, Osmanit tha se Kushtetuta është e qartë: procedurat për zgjedhjen e presidentit mund të nisin 60 ditë para afatit të fundit, por procesi duhet të finalizohet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual. Në këtë rast mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundon më 4 prill.
“Përfaqësuesit e popullit mbrëmë vendosen që të dërgojnë vendin në zgjedhje të reja. Kjo situatë ka qenë plotësisht e evitueshme, është fatkeqësi e madhe për këtë shtet që ata nuk zgjedhën interesin e Republikës së Kosovës. Prandaj, sot në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës kam nxjerr dekretin për shpërndarje të kuvendit, dhe nëpërmjet këtij dekreti po e kryej detyrimin kushtetues i cili është i përcaktuar qartë”, deklaroi Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës.
Krerët e partive politike në Kosovë janë takuar disa herë në ditët e fundit në përpjekje për të arritur deri te një figurë konsensuale për president, mirëpo nuk është arritur asgjë. Presidentja Osmani e pati bërë të ditur se synon edhe një mandat si presidente, mirëpo emrin e saj nuk e ka propozuar askush në Kuvend, madje as Lëvizja Vetëvendosje e cila kishte vota të mjaftueshme për t’i kandiduar dy figura për këtë pozitë Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxhën. Osmani i ka nisur në pasditen e 5 marsit disa amendamente për shqyrtim në Kuvend që presidenti i Kosovës të zgjidhet me votë nga populli dhe jo nga Kuvendi. Vota të mjaftueshme për miratimin e tyre nuk kishte. /Alsat.mk








