Ngërç politik në Kosovë, dështon zgjedhja e kryetarit të Kuvendit
Gazetare: Ilirida Sulejmani
Pas betimit të deputetëve të legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës, pritej të procedohej me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, e cila nuk u realizua. Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk dha një emër për kryetar dhe nënkryetar të Kuvendit, por kërkoi kohë shtesë për një marrëveshje politike, edhe për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.
“I nderuar kryesues, Avni Dehari, kërkojmë kohë shtesë që tu japim shanse bisedimeve politike për marrëveshje për president apo presidente të re”. – Albin Kurti (Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje).
Pa vendimit për shtyrjen e seancës konstituive, reagimet ishin të menjëhershme, ku Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza akuzon Lëvizjen Vetëvendosje për mungesë serioziteti dhe përgjegjësie.
“Kjo është një shenjë e mungesës së seriozitetit dhe përgjegjësisë nga partia që ka fituar numrin më të madh. Po shihet që vazhdojnë sjelljet e tyre të papërgjegjshme në raport me institucionet e Kosovës. Kosova vazhdon me mungesë dhe me vakum institucional. Kjo e dëmton vendin dhe e prek perspektivën e vendit, por edhe qytetarët e Republikës së Kosovës”. – Bedri Hamza (Kryetar i PDK-së).
Gjithashtu edhe deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka kritikuar procesin e moskonstituimit, duke e cilësuar situatën si të dëmshme për vendin. Ai theksoi se afatet kushtetuese kanë kaluar dhe se qytetarët presin funksionalizimin e institucioneve, përfshirë edhe zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
“Ka kaluar afati kushtetues, sot janë 30 ditë dhe sot kur është dashur të gjithë qytetarët e Kosovës të presin që institucionet e Kosovës të konstituohet, që kuvendi të jetë funksional, të zgjidhet kryetari apo kryetarja, sot del kryetari i VV-së dhe u thotë qytetarëve se u duhet ende kohë”. – Besnik Tahiri (deputet i Aleancës).
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, i pyetur nëse LDK-ja është pjesë e këtij skenari për ndërprerjen e seancës konstituive, u përgjigj se partia e tij as nuk ka qenë e informuar.
“Jo, ne nuk kemi qenë të informuar. Krejt çka ka rrjedhur e patë edhe vetë nga seanca, ku ishte e pritshme vetëm deklarimi i emrit, sepse nuk ka debat në seancën konstituive. Por ky është Albin Kurti. Ai di edhe të debatojë, edhe të hapë fushata elektorale, edhe të kërkojë shtesa, duke menduar se është një dhe i vetmi mbi Kushtetutën dhe mbi vullnetin politik të dalë nga zgjedhjet e fundit.” – Armend Zemaj (Deputet i LDK-së).
Pas seancës konstituive fillon rrjedhja e afatit 60 ditor për zgjedhjen e presidentit ose presidentes së shtetit. /Alsat.mk








