Në tentim për të plaçkitur, hajni desh i morri jetën infermieres

Në tentim për të plaçkitur, hajni desh i morri jetën infermieres

Gazetar: Adnan Qaili

Punoi deri dje për të kuruar pacientët në Repartin Infektives të Spitalit të Kumanovës. Por nga mesnata e së enjtes u bë vetë paciente duke përfunduar në intervenim kirurgjikal nga plagët e marra në vendin e punës. Infermierja Xhejlane Daipi, ishte viktimë e sulmit të hajnave që hynë për t’i vjedhur paratë e ambulantes.

“E pash se është mashkull me kapelë të zezë, dhe nuk di më shumë se më ka mbuluar me çarçaf dhe më ka goditur anash në kokë. Kur kam rënë në tokë kam dashur të rezistoj, aty e kam pa se ka pasur atlete. Fillova të bërtas, ma vendosi dorën në gojë dhe jam e lënduar këtu, veç kur e ndjeva se më lëndoi shumë në kraharor me diçka, prej aty jam alivanosur, tjetër nuk mbaj mend. Kur e kam pa veten në mëngjes në repartin e Kirurgjisë”, deklaroi Xhejlane Daipi, Infermiere.

Raporti mjekësor tregon se infermierja është goditur me gërshërë në kraharor, por jashtë rrezikut për jetë.

“Sipas infermieres, hajni ka bërë këtë trajektore të ecjes duke hyrë nga pjesa e pasme e korridorit dhe ka lëvizur deri tek kasa ku qëndrojnë motrat medicinale, të cilat bëjnë inkasimin e shërbimeve shëndetësore. Siç po shihet ky ambient ka pasur dritë të pakët dhe nuk ka kamera të sigurisë. Këtu ka ndodhur i gjithë sherri dhe mezi ka shpëtuar infermierja”, raporton Adnan Qaili, gazetar.

Nga traumat që ka pësuar ajo ka nevojë për rehabilitim, por ka hallin e kolegëve të saj që punojnë në kushte pa sigurim të mirëfilltë. Thotë se mantel bardhët janë shpesh pre e sulmeve në Kumanovë.

“Kam pas rast vet se më sulmuan, por nuk jam e vetmja bash në repartin tonë ka shumë motra tjera. Që janë sulmuar dhe asgjë, po vazhdojmë. Rastet janë lajmëruar se kemi problem”, u shpreh Xhejlane Daipi, Infermiere.

Policia e Kumanovës njofton se kanë arrestuar të dyshuarin F.J. 38 vjeç nga Kumanova, për shkak se me mjet të fortë ka sulmuar dhe lënduar të punësuarën në Repartin infektiv të spitalit të qytetit. SPB tha se i dyshuari është në mbajtje dhe pas dokumentimit të rastit ndaj tij do të ngritet kallëzim penal në Prokurori për veprën grabitje e rëndë.

“Sipas SPB-Kumanovë të dyshuarit për vjedhje në infektiv janë nga Reparti i qendrës për varësi nga narkotikët, ku një persona është ndaluar për 24 orë, por po dyshohet se ai ka pasur bashkëpunëtor gjatë kryerjes së veprës”, raporton Adnan Qaili, gazetar i Alsat.

Nga drejtoria e spitalit të Kumanovës nuk deshën të flasin para kamerave, madje motra kryesore dhe përgjegjësja e repartit infektiv penguan punën e ekipit tonë për të marrë informacione rreth rastit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button