Në Tetovë nuk respektohen masat anti-Kovid, organizohen dasma dhe ahengje

Pavarësisht ndalesës për grumbullime, në rajonin e Pollogut gjithnjë e më shumë organizohen ahengje dhe dasma në restorante dhe në shtëpi. Nga policia njoftojnë se kanë ndërhyrë në dhjetëra raste të tilla që kur hynë në fuqi masat për mbrojtje nga Covid-19.

Jeni dëshmitarë se kohëve të fundit ka pasur disa raste ku është reaguar në objekte hotelerike.. deri në prokurorinë themelore publike Tetovë dhe Gostivar janë dorëzuar nga janari e deri më tani gjashtë vepra që janë konstatuar gjatë vitit 2020 dhe gjashtë vepra që janë konstatuar gjatë këtij viti – tha Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë.

Kanë reaguar edhe nga Shoqata e hotelierëve të cilët ankohen se, organizimi i dasmave në mënyrë joligjore dëmton procesin e marrjes së protokollit për dasmat nga ana e Qeverisë.

Është që më herrët kjo që kur ka filluar pandemia këtu në Tetovë rregullisht janë mbajtur dasma të jashtëligjshme, flas nëpër lokale jo vetëm nëpër shtëpi, dhe këto s`do mend që na kanë dëmtuar, kjo nuk është normale e as morale, dhe tani kjo na kthehet bumerang neve të tjerëve sepse nuk na jepet protokolli për punë, që përditë e kërkojmë dhe jemi në takime me Qeverinë – u shpreh Qëndrim Zendeli, pronar restoranti dasmash.

Edhe një pjesë e këngëtarëve dënojnë organizimet joligjore. Por akuzojnë edhe qeverinë për dështim në menaxhimin e pandemisë.

Mendoj se duhet të presim lejen e organeve kompetente që merren me këtë punë, por mendoj se Qeveria ka dështuar në menaxhimin e situatës shkaku se nuk është e drejtë për të gjithë se nëse pandemia vlen për ne atëherë pandemia është edhe për grumbullimet nëpër banka, grumbullimet nëpër restorante nëpër kazino – u shpreh Bajramali Idrizi, këngëtar.

Pronarët e restoranteve për dasma prej dy muajsh tashmë kërkojnë nga qeveria protokolle për punë.

Bashkim Sulejmani

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button