Nuk zbardhen detaje nga takimi Zaev-Borisov, Merkel me porosi: E keni patjetër të merreni vesh

Delegacioni qeveritar nga Shkupi u prit në Sofje nga kryeministri, Borisov dhe Ministri i Mbrojtjes, Karakaçanov në kuadër të Procesit të Berlinit, me ç’rast është diskutuar edhe kontesti bullgaro-maqedonas. Nga Qeveria thonë se pas takimeve të sotme mbeten të përkushtuar për gjetje të zgjidhjes “Ata duan të ketë zgjidhje, ne duam po ashtu. Punojmë bashkë si fqinj të mirë, të përkushtuar në të ardhme të përbashkët evropiane” thonë nga ekzekutivi. Borisov në rrjetet sociale vetëm shkroi se bashkë-kryesimi i sivjetëm i Procesit të Berlinit nga Bullgaria dhe RMV-ja është shumë simbolike”.

Samiti i Sofjes përfundoi me konferencë të shkurtër për media, por pa prezencë të gazetarëve. E la në plan të dytë kontestin që po e pengon euro-integrimin e vendit. Megjithatë kancelaria gjermane, Merkel bëri porosi të qartë për kompromis. Shefi i diplomacisë së BE-së, Zhozef Borrel tha se duhet ruajtur trendi pozitiv dhe se duhet filluar negociatat me Shkupin e Tiranën.

Procesi i Berlinit gjithnjë lidhet me pajtimin, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe trashëgimisë nga e kaluara dhe shpresoj që ky proces të vazhdojë. Është shenjë e mirë që konferenca e mbajtur në emër të Procesit të Berlinit tashmë mundësoi që njerëzit të takohen. Rajonit duhet t’i them: e keni patjetër të merreni vesh, mos harroni, sepse është shumë e rëndësishme! – deklaroi Angela Merkel, Kancelare e Gjermanisë.

Zaev e Borisov folën vetëm për rezultatet e Samitit.

Ramë dakord se duhet t’i rrisim përpjekjet për progres real në proceset reformuese, ta përparojmë bashkëpunimin rajonal ekonomik dhe të vihen themelet e rritjes së qëndrueshme. Vetëm rajon i integruar dhe i lidhur mund të hapërojë i sigurt drejt BE-së. Vizioni i planit aksionar për treg të përbashkët rajonal dhe Agjenda e gjelbër e tregojnë drejtimin e vërtetë. Hymë në fazë të re të bashkëpunimit tonë, rajoni mori përsipër shumë iniciativa dhe procese – tha Zoran Zaev, Kryeministër.

Jam i kënaqur që e nënshkruam Deklaratën e Sofjes me agjendën e gjelbër për vendet e Ballkanit Perëndimor. Sepse plani ynë, si shtete anëtare, është 0 emetim i dioksidit të karbonit. Do të ishte konkurrencë lojale. I falënderoj që prej tani vendosën të sillen në mënyrë evropiane, duke menduar për ambientin. Tjetra është deklarata për treg të përbashkët rajonal. Është dëshira jonë që sa mundet t’i rrisim të ardhurat e këtij rajoni 20 milion banorësh – deklaroi Bojko Borisov, Kryeministër i Bullgarisë.

Ndërkohë, deputetja gjermane e Partisë Liberale, Renata Alt duke marrë si shkas veton bullgare, propozoi që të shfuqizohet parimi i vendimmarrjes me konsensus dhe BE-së t’i rikthehet aftësia për të marrë vendime të rëndësishme.

Anesa Salihu

LEXO EDHE:

Back to top button