Opozita maqedonase dyshon se Zaevi ka bërë marrëveshje të fshehtë me Borisovin

Deklaratat e ministres së jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva opozita maqedonase i vlerëson si produkt i marrëveshjes së vitit 2017 e cila sipas tyre përkeqësoi edhe më tepër raportet Maqedoni e Veriut-Bullgari. VMRO-DPMNE-ja dyshon se kryeministri Zoran Zaev po fsheh marrëveshjen e arritur me homologun e tij bullgar, Bojko Borisov dhe kjo po motivon edhe më tepër Bullgarinë për bllokada ndaj vendit tonë.


“Pas marrëveshjes së nënshkruar mes Maqedonisë dhe Bullgarisë marrëdhëniet tona janë më të komplikuara dhe mos besimi është më i madh. Çfarë ka prishur besimin mes Zaev dhe Borisov, mbetet dilemë sepse Qeveria nuk jep detaje- deklaroi Antonio Milloshoski, Deputet i VMRO-DPMNE-së.

Opozita shqiptare vlerëson se deklaratat e zyrtareve bullgar dëshmojnë lëshimet që janë duke bërë dyja palët në proces. Sipas tyre, kjo qasje do t’i kushtojë Maqedonisë së Veriut me izolim diplomatik.


“Nga njëra anë udhëheqësit e Bullgarisë po keqpërdorin marrëveshjen për marketing politik. Nga ana tjetër deklaratat kundërthënëse janë tipike për udhëheqësit qeveritar të Maqedonisë së Veriut. Ato nuk janë në vijën e detyrës diplomatike dhe paaftësia e tyre për të iniciuar presione politike nga BE-ja drejt Bullgarisë do t’i kushtojë vendit me një izolim të gjatë diplomatik- thonë nga ASH&AAA.

Partnerët e koalicionit kanë qëndrime të ndara. BDI vlerëson se duhet shfrytëzuar shansi historik për vendin.


“Angazhimi ynë si vend dhe institucional por edhe i spektrit politik është që të arrijmë ta realizojmë këtë qëllim. Nuk do të ndalemi së punuari për arritjen e këtij qëllimi strategjik- tha Arbër Ademi, Deputet i BDI-së.

LSDM-ja vlerëson se për identitetin dhe gjuhën nuk do të negociohet, pavarësisht çmimit që mund ta paguaj vendi.


“Qëllimi jonë është të bëjmë gjithçka që mundemi që t’i fillojmë negociatat. Por siç kemi theksuar edhe më herët, për identitetin dhe gjuhën, nuk bëhen negociata- pohoi Jovan Mitrevski, Deputet i LSDM-së.

Të enjten është caktuar mbledhja e Komisionit për Politik të Jashtme në Kuvend ku janë ftuar përfaqësuesit e Qeverisë. Opozita vlerëson se Zaev dhe ministrat duhet japin llogari për negociatat e deritanishme, por në të njëjtën kohë të harmonizojnë qëndrimet me Kuvendin me qëllim që procesi negociator të mos hasë në bllokada të brendshme si pasojë e dallimeve politike.

Adrian Kerimi

LEXO EDHE:

Back to top button