Ministri i jashtëm i republikës së Maqedonisë së Veriut menjëherë pas takimit me ministren e jashtme të Suedisë, An Linde, u shpreh se dy bashkëbiseduesit kanë biseduar për perspektivën evropiane të RMV-së.
“Punojmë në përcaktimin e prioriteteve me qëllim që ti prezantojmë në periudhën e ardhshme. Është koha që RMV ti filloj negociatat sepse i ka plotësuar kushtet për këtë. Për ne aq sa është privilegj është e edhe përgjegjësi që të kryesojmë me një Organizatë siç është OSBE-ja. Biseduam edhe për perspektivën evropiane të RMV-së”, deklaroi Bujar Osmani, ministër i jashtëm i RMV-së.
Osmani madje u shpreh se republika e Maqedonisë së Veriut nuk ka alternativë tjetër përpos anëtarësimit në BE.
“Qytetarët presin diçka konkrete, presin rezultate konkrete për anëtarësim në BE. Ne nuk kemi alternative tjetër. Ne jemi në zemër të Evropës dhe nuk kemi ku shkojmë tjetër. Evropa pa Ballkanin Perëndimorë nuk është e kompletuar. Na vjen mirë që 26 vendet anëtare kanë konsensus në këtë drejtim, po punojmë edhe me Bullgarinë që të arrijmë deri tek zgjidhja”, tha Osmani.
Nga ana tjetër ministrja e jashtme e Suedisë An Linde theksoi se vendi i saj mbështet fuqishëm integrimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin evropian si dhe agjendën reformuese të vendit.
“NË aspektin bilateral kemi raporte të shkëlqyera me Maqedoninë e Veriut. Suedia e mbështet fuqishëm integrimin e republikës së Maqedonisë së Veriut dhe agjendën reformuese”, deklaroi An, duke shprehur njëherit dhe falënderimet për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm të vendit me misionin e OSBE-së në Shkup.








