Pajaziti: Emigrimi përshpejton plakjen e popullsisë, kriza demografike pasojë e faktorëve ekonomikë e socialë

Gazetare: Melihate Rustemi

Gjithnjë e më pak fëmijë në vend, gjithnjë e më shumë të rinj që largohen. Ky është realiteti demografik me të cilin po përballet Maqedonia e Veriut, vlerëson sociologu Ali Pajaziti. Sipas tij, rënia e numrit të lindjeve dhe emigrimi i vazhdueshëm kanë sjellë ndryshime të mëdha në strukturën e popullsisë, duke ngritur shqetësime për të ardhmen demografike të vendit. Pajaziti vlerëson se kjo krizë nuk ka vetëm një shkak, por është pasojë e një kombinimi faktorësh shoqërorë, ekonomikë dhe të ndryshimeve në mënyrën e jetesës.

“Kjo rënie apo krizë demografike duhet të shihet nga një perspektivë multikausale. Hulumtimet sociologjike tregojnë se familja ndodhet në një krizë të madhe, ndërsa familjet me shumë fëmijë po bëhen gjithnjë e më të rralla. Rritja e standardeve dhe pritshmërive për një jetë më cilësore bën që shumë çifte ta shtyjnë vendimin për të pasur fëmijë, ndërsa shtyrja e lindjes së tyre shpesh përfundon me moslindje”, tha sociologu Ali Pajaziti.

Përveç ndryshimeve në modelin e familjes, Pajaziti veçon emigrimin si një nga faktorët që e thellon më tej krizën demografike. Sipas tij, largimi i të rinjve nuk nënkupton vetëm ulje të numrit të banorëve, por edhe më pak lindje dhe plakje të popullsisë. Ai vlerëson se për ta ndryshuar këtë trend nevojiten politika që do t’u japin të rinjve siguri për të ndërtuar jetën në vend.

“Shteti ka përgjegjësi të krijojë kushte që familjet të ndihen të sigurta për të pasur dhe rritur fëmijë, përmes politikave më të mira sociale, mbështetjes financiare, vendeve të qëndrueshme të punës dhe shërbimeve cilësore publike. Emigrimi është një nga faktorët kryesorë të rënies demografike, sepse largohen pikërisht të rinjtë dhe familjet në fazën e formimit. Prandaj, kjo nuk është vetëm një çështje e natalitetit, por edhe e zhvillimit ekonomik, sigurisë sociale dhe besimit të qytetarëve në të ardhmen e vendit”, sqaroi sociologu Ali Pajaziti.

Sipas Pajazitit, rënia e numrit të fëmijëve nuk është vetëm një problem statistikor. Ajo prek drejtpërdrejt shkollat, tregun e punës dhe zhvillimin e ardhshëm të shoqërisë. Për sociologët, sfida kryesore mbetet krijimi i një mjedisi ku të rinjtë të shohin të ardhmen e tyre brenda vendit dhe jo jashtë tij.

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button