Partitë me akuza të ndërsjellat për pengesat në Kuvend

Partitë politike akuzojnë njëra tjetrën si shkaktarë të një funksionaliteti jo të plotë të Kuvendit në këtë periudhë. Çështje kryesore që vazhdon të shkaktojë polemika që prej pak ditë pas konstituimit është zgjedhja e nënkryetarëve. Tashmë është vërtetuar se Kuvendi mund të ketë deri në 5 nënkryetarë por nuk ka marrëveshje për zgjedhjen e tyre.

 “Kur të kemi qëndrim përfundimtar nga VMRO-DPMNE-ja sa u takon nënkryetarëve dhe të fitojmë Kuvend me funksional sepse kështu e rregullon ligji, atëherë do të mund të punojmë me funksion të plotë. Por, vetëm për përfitim politik siç bën VMRO-DPMNE-ja, për momentin kemi një pjesë të funksionimit të Kuvendit që pamundësohet, për shkak të populizmit të tyre. Ju lumtë!- deklaroi Kostadin Kostadinov, deputet i LSDM-së.

 Mungesa e nënkryetarëve ka lënë grupet parlamentare pa asistentë, të cilët sipas LSDM-së, janë shumë të rëndësishëm për funksionim normal. Ndërkohë, sipas VMRO-DPMNE-së, mungesa e nënkryetarëve pamundëson funksionimit të Këshillit buxhetor i cili merret me procedurat financiare të ligjvënësit.

 “Koalicioni LSDM, BESA dhe BDI, për shkak të mosmarrëveshjeve mes tyre, akoma e kanë lënë Kuvendin pa anëtarë në organe kyçe për funksionimin e tij. Kuvendi akoma nuk ka zgjedhur nënkryetarë të cilët do të zëvendësonin Talat Xhaferin nëse ai nuk do të mundet të marrë pjesë në seancën e Kuvendit- pohoi Nikolla Micevski, koordinator i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së.

 VMRO-DPMNE-ja akuzon partitë e pushtetit se në mungesë të marrëveshjes politike mes tyre, nuk është formuar as Këshilli nacional për integrime evropiane i cili është homolog i Komisionit për çështje evropiane, nuk janë formuar as grupet bilaterale për bashkëpunim me 50 parlamente në Evropë dhe në botë përmes të cilave deputetët mbajnë komunikim dhe kanë bashkëpunim me ambasadorët dhe parlamentet dhe se tashmë tre muaj nuk funksionojnë as delegacionet parlamentare të Këshillit të Evropës, të OSBE-së, NATO-s, Mesdheut dhe të tjera.

Alsat kërkoi sqarim nga Kuvendi për arsyet që pengojnë zgjedhjen e nënkryetarëve si dhe formimin e këtyre trupave për vendosjen e marrëdhënieve të Kuvendit me Parlamentet e tjera, por deri tani nuk kemi përgjigje.

Fatlume Dervishi

 

LEXO EDHE:

Back to top button