Kosovë / Opozita nuk i shkon në takim Haxhiut
PDK-ja i është drejtuar sërish kryesuesit të Kuvendit Avni Dehari, për vazhdimin e seancës konstituive. Deputetët e PDK-së në letrën e dërguar në adresën e Deharit, i kanë kërkuar atij që kjo të bëhet nesër, më 18 gusht, me fillim nga ora 11:00.
Ndërkohë për nesër, ushtruesja e detyrës presidente e Kosovës Albulena Haxhiu ka ftuar për një takim liderët e partive politike, për të arritur marrëveshje për çështjen e presidentit. Por opozita nuk do të merr pjesë në takim.
Edhepse kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku ka konfirmuar se nuk do të marrë pjesë në takimin e nesërm me Haxhiun, Avdullah Hoti nga kjo parti ka thënë se janë të gatshëm të kontribuojnë në zgjidhjen e ngërçit institucional dhe në zgjedhjen e presidentit të vendit. Ai ka bërë të ditur se brenda strukturave të LDK-së është diskutuar gjerësisht për këtë çështje dhe se kanë ardhur në përfundim që t’i japin mundësi themelimit të institucioneve të vendit.
Aleanca ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që të thërras seancën konstituive të Kuvendit për t’i hapur rrugë zgjedhjes së presidentit. Besnik Tahiri tha se votat e shtatë deputetëve të Aleancës për çështjen e presidentit janë në tavolinë, por duhet të pranohen gjashtë pikat, përfshirë gazin amerikan.
“Situata është e qartë. Qëllimi është me u zgjat afati i konstituimit të Kuvendit në mënyrë që të krijohet kohë më shumë për Kurtin dhe ai të pozicionojë datën e zgjedhjeve kur po dëshiron. Me dashtë ai me i themeluar institucionet, kjo punë është bukur e lehtë. Numrat dihen, emrat konsensualë krejt jemi pajtuar. Kosova ka boll emra seriozë, ndërtohet platforma serioze. Por kjo mundet me hy në funksion vetëm kur dihet kush e kush janë në Kuvend”, tha Besnik Tahiri, Aleanca.
Kriza institucionale në Kosovës është krijuar pas zgjedhjeve të 7 qershorit, të cilat u mbajtën pasi partitë nuk arritën të gjenin marrëveshje për zgjedhjen e presidentit pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit. LVV-ja fitoi 53 ulëse në Kuvend, PDK-ja 22, LDK-ja 18 dhe AAK-ja shtatë. Për zgjedhjen e presidentit, Kushtetuta kërkon praninë e të paktën 80 deputetëve në sallë në dy rundet e para të votimit. Nëse presidenti nuk zgjidhet as në rundin e tretë, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja./Alsat.mk.








