Pendarovski: Mos më kërkoni të relativizojë “27 prillin”/Mickoski: Mbrojtja ka dëshmi të reja

Presidenti Stevo Pendarovski, i përmbajtur në qëndrimin e tij pas takimit me kreun e opozitës Hristijan Mickoski, nuk kërkoi rigjykim për 27 prillin, ashtu siç priti prej tij VMRO-DPMNE.

Qëndrimi im se nëse ka dëshmi të reja të cilat më herët nuk kanë qenë të njohura, mund ta rihapin procesin, nuk nënkuptojnë që unë nxis rihapjen e procesit. Unë vetëm e citoj nenin ligjor dhe mundësinë ligjore sipas të cilës ata njerëz, përmes avokatëve të tyre, në rrugë gjyqësore, mund të kërkojnë nga Gjykata e lartë të vlerësojë dëshmitë e reja, sigurisht, nëse ata ekzistojnë. Vendimin nëse procesi do të përsëritet, sigurisht se nuk do ta sjellë ndonjë faktor politik por vetë gjykata”, tha Stevo Pendarovski, President.

Pendarovski tha se askush nuk mund të presë prej tij relativizimin e ngjarjeve të 27 prillit meqë vetë ka qenë në mesin e të sulmuarve.

Mickoski kërkon që të ndërpriten presionet politike të pushtetit mbi gjyqësorin dhe të dënuarit të pranojnë vendimin e shkallës së dytë që të mund të prezantojnë dëshmitë e reja që posedon pala mbrojtëse. Ai kërkon që të akuzuarit të mos trajtohen si terroristë.

Atë që unë e kërkoj dhe të cilën e thash në këtë takim nuk është mëshirë dhe falje por drejtësi. Drejtësi përmes dëshmive plotësuese të cilat avokatët mbrojtës të këtyre personave të mund t’i dorëzojnë deri në gjykatën e lartë ose në gjykatën evropiane për të drejtat e njeriut sapo ta marrin vendimin e shkallës së dytë. Të njëjtën të drejtë që e kishin edhe të akuzuarit dhe të dënuarit për rastin e “Sopotit” dhe të akuzuarit për rastin `Monstra`”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE.

Lënda për personat e akuzuar dhe të dënuar për ngjarjet e 27 prillit është “cenim terrorist i rendit kushtetues”. Presidenti Pendarovski thotë se kjo vepër dhe vepra “terrorizëm” janë të ndara, edhe pse, veprimet janë të ngjashme dhe dënimet po ashtu. Ai e konsideron procesin punë të mbaruar dhe nuk mendon se vendimi është marrë pa dëshmi.

Sipas meje, ishte “cenim terrorist i rendit kushtetues dhe sigurisë” dhe nuk ishte vepër penale “terrorizëm”. Nuk mundem dhe nuk dua të dal jashtë formulimit gjyqësor”, tha Stevo Pendarovski, president.

Gjykata penale dënoi 16 persona me burgim të përgjithshëm 211 vjet, ndërsa Gjykata e Apelit në shkurt i uli dënimet në 188 vjet. Paralelisht ende po zhvillohet procesi gjyqësor kundër organizatorëve të dyshuar të ndërhyrjes së dhunshme në Kuvend.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button