Pensioni minimal rritet në 253 euro në Mal të Zi

Pensioni minimal rritet në 253 euro në Mal të Zi

Pensioni minimal nga sot arrin në 253 euro në Mal të Zi, bëri të ditur kryeministri në largim, Dritan Abazoviq dhe shtoi se pagesa fillon sot.

“Lajm i mirë për të gjithë pensionistët nga Qeveria e Malit të Zi. Vitin e kaluar pensioni minimal ka qenë 147 euro dhe nga sot do të fillojë pagesa e pensionit minimal të rritur, i cili tani arrin në 253 euro”, tha ai lidhur me rritjen e pensionin minimal.

Kryeministri tha se në një periudhë të shkurtër kohore, me ndihmën e ribalancimit dhe të gjithë atyre që e mbështetën atë propozim, u mundësua që pensionistët të përfitojnë dukshëm më shumë se në periudhën e mëparshme në këto kohë të vështira, raporton rtcg.

“Besojmë se me punë dhe përkushtim të mirë do të mund të rrisim edhe pensionet tjera në vitet në vijim dhe do të ndihmojmë, veçanërisht në këto kohë krize, për të tejkaluar gjendjen e vështirë financiare”, tha Abazoviq.

Ai u shpreh se Qeveria po mendon për brezat e qytetarëve që ndërtuan dhe krijuan Malin e Zi dhe se duhet bërë gjithçka për t’u shpërblyer në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Shpresoj se së shpejti do t’ju shpallim edhe një lajm të mirë për ju sepse synojmë t’jua lehtësojmë edhe gjendjen financiare me ndihmën e njëhershme. Ju uroj shëndet të mirë dhe t’i shpenzoni pensionet në mënyrën më të mirë të mundshme”, përfundoi Abazoviq.

LEXO EDHE:

Back to top button