Për herë të parë pas 20 vjetësh, dollari dhe euro janë barazuar

Kursi i këmbimit mes euros dhe dollarit amerikan ishte i njëjtë të martën për herë të parë në 20 vjet. Që nga mëngjesi i së martës, një euro është saktësisht një dollar, që do të thotë se euro është ulur më shumë se 12 për qind nga vlera e saj në fillim të vitit.

Kjo do të thotë se euro është më e dobëta ndaj dollarit që nga dimri i vitit 2002, njëzet vjet më parë.

Ndërsa lajmi është pozitiv për amerikanët që punojnë dhe udhëtojnë në Evropë, është një shenjë shqetësuese për shëndetin e ekonomisë globale.

Euro është dobësuar ndjeshëm nga kriza energjetike evropiane për shkak të luftës në Ukrainë. Rusia furnizonte pothuajse 40 për qind të gazit të Evropës përpara luftës me Ukrainën, dhe blloku tani po përpiqet të zvogëlojë varësinë e tij nga burimet ruse të energjisë.

Barazia midis euros dhe dollarit vjen në një kohë kur Rusia ka mbyllur një tubacion kryesor të gazit – Nord Stream 1 – që transporton gaz në Gjermani. Tubacioni është i mbyllur për mirëmbajtje vjetore.

Ndërkohë, dollari u forcua ndërsa investitorët u larguan drejt monedhës së sigurt, ndërsa Rezerva Federale kërkon të rrisë normat e interesit me ritmin e saj më të shpejtë që nga viti 1994 për të frenuar inflacionin e nxehtë.

E ndërsa në Shtetet e Bashkuara po krijohet frika për një recesion, ekspertët besojnë se shanset për rënie ekonomike në Evropë janë shumë më të mëdha, raportojnë agjencitë botërore.

LEXO EDHE:

Back to top button