Pika e testimit për COVID-19, punojnë vetëm 3 orë në ditë

Pika e testimit për COVID-19, punojnë vetëm 3 orë në ditë

Gazetar: Adnan Qaili

Për t’u testuar nëse je i prekur nga variantet e reja të virusit korona, do të presësh gjatë një termin. Në Shkup funksionojnë vetëm dy pika të testimeve, të cilat mbulohen përmes fondit, shkruan Alsat.

Të gjitha pikat tjera private funksionojnë me orar të rregullt, por që natyrisht pagesa është 100% më e shtrenjtë. Pacientët ankohen se nuk gjejnë dot termin dhe rendi u vjen pasi t’i kalojnë simptomat.

“Pika e testimit në Poliklinikën e Çairit funksionon vetëm tri orë nga 8-11 me staf të reduktuar dhe terminë të limituara. Ata që nuk arrijnë të bëjnë termin do të duhet të shkojnë të testohen privat për të vërtetuar nëse janë të infektuar me Covid-19”, raporton gazetari i Alsat, Adnan Qaili.

Mjekët amë thonë se e kanë të pamundur të sigurojnë terminë në kohën e duhur, nga që platforma “Termini im” aq hapësirë ka lejuar.

Ky pacient, ankohet se nuk arrin të caktojë termin dhe u pranua vetëm pasi ishte prezent kamera e TV Alsat. Ai nuk fajësoi stafin mjekësor por sistemin e qendrës që operon.

“Para se të lëshohej kamera u ankove se ke pritur 5 orë, çfarë ishte ajo? Tjetër problem kisha, se unë kur jam vaksinuar tani më thoshin eja këtu, e pastaj shko atje por e rregulluam se ishte patjetër me termin”, tha një qytetar.

Në bazë të raporteve të ISHP, çdo ditë bëhen rreth 1,600 teste në ditë, gjysma prej tyre diagnostikohen pozitiv me virusin korona. Sipas këtyre rezultateve rreth 600 bëhen përmes fondit në ambulanta publike, mbi 300 bëhen nëpër laboratorët private të testimit dhe rreth 700 të tjera bëhen teste rapid antigjen.

Njësoj është edhe te pika tjetër e testimit. Orari prej 8-11 dhe pastaj i vihet kyçi derës. Atmosferë…

Nga Qendra e Shëndetit Publik – Shkup thonë se në kryeqytet aktualisht funksionojnë vetëm këto dy pika testimi me orar të shkurtuar, nga që stafi është i reduktuar për shkak të pushimeve vjetore.

“Aktualisht, pikat e testimit me orar prej 08-11 janë të hapura çdo ditë pune në Poliklinikën e Çairit dhe në Poliklinikën e Jane Sandanskit. Në të dyja pikat në bazë ditore merren gjithsej 150 strisho për testim”, thonë nga Qendra e Shëndetit Publik – Shkup.

Autoritetet shëndetësore nuk e kanë ndërmend të shtojnë pikat e testimit apo oraret e punës, nga që fokusi i tyre është të orientojë qytetarët për t’u vaksinuar si masë mbrojtëse e parandalimit të infektimit.

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se fushata për vetëdijesim të qytetarëve për imunizim anti-kovid do të nxisë qytetarët që në vend të kurimit në kurriz të fondit shëndetësor, të mbrohen përmes vaksinimit./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button