Procesi i rehabilitimit të të lënduarve nga tragjedia e Koçanit vazhdon ende
Gazetare: Linda Ebibi Ademi
Në tragjedinë e Koçanit jetën e humbën të rinj kryesisht të moshës 24-26 veçare ndërsa gjashtë nga viktimat ishin të mitur. Sipas mjekësisë ligjore, shkaku kryesor i numrit të madh të viktimave ishte ngufatja nga monoksid karboni, që u përhap me shpejtësi në hapësirën e mbyllur.
Mbi 200 të tjerë mbetën të lënduar rëndë, duke u përballur me pasoja fizike dhe psikike. Nga 16 marsi e në ditët që pasuan, numri më i madh i pacientëve, mbi 100 u dërguan jashtë vendit për trajtim më adekuat, pasi vendit i mungonte një qendër e specializuar për trajtimin e djegieve, të cilën sot e kësaj dite nuk e ka. Përballë kësaj tragjedie, u desh solidarizimi i 14 shteteve të huaja, kryesisht evropiane, për të ndihmuar në trajtimin e pacientëve.
Vendet e rajonit, si Serbia dhe Bullgaria, ishin ndër destinacionet e para ku u transportuan të lënduarit, ndërsa rastet më të rënda u morën përsipër nga klinika në disa shtete evropiane. Austria, Greqia, Kroacia, Italia, Zvicra, Suedia, Lituania, Belgjika, Turqia, Sllovenia, Hungaria dhe Polonia hapën dyert e spitaleve të tyre për të lënduarit nga kjo tragjedi, madje disa prej tyre shprehën gatishmëri që pacientët t’i mbajnë për rehabilitim për një periudhë më të gjatë.
Ndërkohë që shumica e të lënduarve u transportuan jashtë vendit për trajtim më të specializuar, në spitalet e vendit mbetën një numër më i vogël pacientësh me lëndime më të lehta, të cilët sistemi shëndetësor mund t’i trajtonte në vend. Megjithatë, edhe për ta beteja për shërim ishte e gjatë dhe e vështirë.
Kryesisht të lënduarit kishin pësuar djegie të shkallës së tretë dhe të katërt, si dhe dëmtime serioze në rrugët e frymëmarrjes, pasi kishin thithur gazra helmues që u përhapën nga zjarri. Trajtimi i shumicës së të lënduarve vazhdon ende ndërsa siç njoftojnë autoritetet shëndetësore një pjesë e tyre do të dërgohen sërish jashtë vendit dhe do t’u nënshtrohen ndërhyrjeve të ndërlikuara kirurgjike./Alsat.mk.








