Protesta kundër qeverisë në Shqipëri hyn në ditën e 93-të
Protesta qytetare kundër qeverisë në Shqipëri ka hyrë sot në ditën e saj të 93-të radhazi, duke shënuar më shumë se tre muaj mobilizim të pandërprerë. Qytetarët vijojnë të mblidhen në Tiranë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë.
Prej 92 ditësh, protestuesit kanë vijuar tubimet e përditshme, duke deklaruar se nuk do të tërhiqen deri në realizimin e kërkesave të tyre. Krahas largimit të Ramës dhe kabinetit qeveritar, pjesë e platformës së artikuluar gjatë protestave është edhe ngritja e një qeverie tranzitore dhe ndryshimi i sistemit politik.
Edhe protesta e 92-të, e zhvilluar një ditë më parë, u karakterizua nga marshimi, thirrjet kundër qeverisë dhe fjalimet përpara Kryeministrisë. Qytetarët u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas u nisën drejt godinës së qeverisë, me pankarta, bilbila dhe thirrje për dorëheqjen e Edi Ramës. Gjatë marshimit u dëgjua edhe thirrja “Arresto Ballukun”.
Mes folësve ishte edhe aktivisti Arben Kola, i cili lëshoi akuza të forta ndaj mazhorancës dhe tha se qytetarët janë mbledhur për t’i thënë “shporru” qeverisë. Ai u ndal veçanërisht te situata në Kukës, duke akuzuar pushtetin për shpopullimin dhe lënien pas dore të zonës.
Në protestë foli gjithashtu një nënë e kthyer nga emigracioni, e cila tha se ishte rikthyer në Shqipëri pasi, sipas saj, “atdheu është në rrezik”. Ajo u bëri thirrje prindërve që t’u bashkohen të rinjve në protestë, ndërsa pretendoi se gjatë marshimit drejt Kryeministrisë nga lart ishin hedhur vezë në drejtim të protestuesve.
Një tjetër protestuese deklaroi se qeveria, sipas saj, po shfaq shenja frike dhe se pas 92 ditësh qytetarët nuk gënjehen më nga ajo që e cilësoi si “fasadë” të pushtetit.








