Qentë endacak rrezikojnë banorët e Gostivarit, Taravari: Policia nuk bashkëpunon me ne

Banorët e Gostivarit po përballen me fenomenin e njëjtë sikur edhe ata të Tetovës. Qentë e shumtë endacak po rrezikojnë banorët, disa prej të cilëve madje edhe janë sulmuar. Banorët akuzojnë pushtetin lokal për neglizhencë pavarësisht alarmimit me rrezikun e përditshëm. Nga komuna flasin për fushatë të organizuar të sjelljes së qenve nga komuna tjera. Kërkojnë ndihmën e policisë.

“Njëjtë sikurse në qytetin e Tetovës, edhe këtu, në qytetin e Gostivarit, numri i qenve endacakë po shtohet çdo ditë e më tepër. Çdo të dytën ditë, këtu në Gostivar nga një person e pëson nga qentë endacakë”.

Për gjendjen e krijuar, banorët fajësojnë si pushtetin lokal ashtu edhe atë qendror.

“Po si nuk kemi problem more, si jo, fëmijëve iu lëshohen bëjnë dëm”.

“Po sigurisht ka qen jo vetëm në Gostivar, por gjithandej, dikush duhet të kujdeset për to. Sigurisht ata që udhëheqin me komunën me qeverinë duhet të bëjnë diçka sepse nuk është vetëm problem i Gostivarit, por i gjithë qyteteve të vendit”.

“Ka edhe sulme nga qentë por institucionet duhet të kujdesen, nuk është puna e qytetarëve kjo por e atyre”.

“Qen ka sa të duash normale është bë kjo. Është mësuar Gostivari më vetëm qen kanë mbetur kanë ik tjerët krejt”.

Ka reaguar edhe drejtuesi i Shoqatës për mbrojtjen e kafshëve në Gostivar. Ai kërkon ushqimin dhe mirëmbajtjen e qenve që të mos bëhen agresiv.

Institucionet nuk tregojnë asnjë lloj kujdesi sepse qentë në natyrë nuk janë të egër e të këqij. Nuk ka asnjë lloj kujdesi, nga xhepi jonë ndajmë mjete për t`i ushqyet dhe mua asnjë qen nuk më sulmon, ata sulmojnë sepse janë të uritur – deklaroi Daniel Gjergjievski, organizata për mbrojtjen e kafshëve IGI.

E përderisa banorët fajësojnë institucionet, kreu i komunës fajëson qytetet tjera të cilat, sipas tij, me qëllim sjellin qentë endacakë në Gostivar por ankohet edhe për ndihmën e Policisë.

Ne fatkeqësisht si komunë nuk e kemi ndihmën e Policisë, dhe këtu çdo qytetar e di se prej qyteteve tjera ka një fushatë mos them e organizuar që të gjithë që kanë qen ti çojnë në Gostivar që të bëjnë fushatë negative, sepse jemi para zgjedhjeve dhe me këtë marrin pikë negative pushteti lokal. Disa herë kemi bë ankesë dhe i kemi thirr ja edhe kjo është një thirrje publike për policinë se nuk duhet unë ti lajmërohem shefit të policisë se merr rrogë për atë. Kemi dërguar edhe incizim të një mauneje të Velesit para gjimnazit të Gostivarit duke shkarkuar 20-30 qen por asnjë reagim s’ka asnjë farë mase nuk është marrë – deklaroi Arben Taravari, kryetar i komunës së Gostivarit.

Problemi me qentë endacakë për vite me radhë është prezent pothuajse në çdo komunë të Pollogut që po rrezikojnë seriozisht jetën e banorëve.

Bashkim Sulejmani

 

LEXO EDHE:

Back to top button