Rama i përgjigjet kritikave se “Open Balkan” i shërben Serbisë

“Open Balkan” është iniciativë e Serbisë, por i shërben njësoj të gjitha shteteve pjesëmarrëse sipas kryeministrit Edi Rama.

Opozita vazhdimisht e ka kritikuar nismën e “Ballkanit të Hapur”, pasi thotë se më shumë i shërben Serbisë se Shqipërisë. Rama, në një interpelancë me deputetin Tritan Shehu sot në kuvend, tha se nga kjo nismë përfitojmë në mënyrë të drejtpërdrejtë, ndryshe nga “Procesi i Ballkanit” apo nisma të tjera europiane, ku marrëveshjet firmosen në letër por nuk konkretizohen në praktikë.

“Për sa i përket angazhimeve në kuadër të tregut të përbashkët rajonal, Shqipëria ka luajtur një rol proaktiv. Shqipëria është një ndër vendet që i ka respektuar dhe çuara para ta gjitha marrëveshjet e mbetura pezull të tregut të përbashkët.

Por është e pamundur që punët tona, për interesat tona, të na i bëjnë të tjerët, që i kemi aleatë pao partnerë, por që kanë shumë punë të tjera për vendet e tyre. Nuk mund të merren me menaxhimin e vendeve tona. Nga një samit në tjetrin kemi boshllëk, sepse çfarë firmoset aty, mbetet pa u jetëzuar”.

Idetë janë të njëjta thotë Rama, por ndryshon mënyra si i arrijmë qëllimet e vendosura. Me “Open Balkan” përfitojmë direkt dhe rrisim ekonominë e vendit sipas tij.

“Kemi shtatë vite që akoma nuk e kemi tregun e përbashkët europian. Kryesorja është implementimi. Nuk kemi një proces të ndjekur në kohë reale nga shtetet, gjë që Ballkani i Hapur e mundëson. Mund të arrijmë në 6.7% në rritje të prodhimit të përgjithshëm në vend. Pse të privohemi nga kjo? Një nga burimet e reja të rritjes ekonomike është pikërisht bashkëpunimi rajonal”.

Kryeministri shqiptar Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në 29 korrikun e kaluar, nënshkruan një deklaratë të përbashkët, e cila bazohet në 4 liritë e mëdha të bashkëpunimit në botën perëndimore: liria lëvizjes së mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve.

Ndërkohë, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina nuk kanë pranuar të jenë pjesë e kësaj nisme, edhe pas thirrjeve për bashkëpunim.

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button